zoom

Kosova

Dëmi i shkaktuar në Ibër-Lepencë, 400 mijë euro

Riparimi i dëmit që i është bërë kanalit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok, në nëntor të këtij viti, do të kapë vlerën e rreth 400 mijë eurove, ka thënë të enjten kryeshefi i ndërmarrjes Ibër-Lepenci, Faruk Mujka.

Ai ka thënë se riparimi i kanalit do të bëhet në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe që e gjithë puna pritet të finalizohet deri më 30 qershor të vitit të ardhshëm.

Kanali i Ibër-Lepencit është sulmuar më 29 nëntor në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut – komunë me shumicë serbe në veri të vendit.

Policia e Kosovës ka thënë se sulmi është kryer me lëndë shpërthyese deri në 20 kilogramë.

Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, ka thënë se dëmi i synuar do të shkonte në deri 2.5 milionë euro, vetëm në import të energjisë elektrike.

“Mos të flasim për paralizimin e aktivitetit ekonomik, të ngrohjes për qytetarët, furnizimit me ujë, e shumë shërbimeve të tjera”, ka thënë Rizvanolli të enjten para mediave.

Kosova e ka fajësuar Serbinë për këtë sulm që e ka konsideruar terrorist, ndërsa Beogradi zyrtar ka mohuar gjithçka.

Për autoritetet e Kosovës ky ka qenë sulmi më i rëndë në infrastrukturën kritike të vendit që nga lufta e viteve 1998/99.

Postime të lidhura