zoom

Lajme

Kuvend/ Balla-Berishës: Arrestuat Adem Jasharin në Tiranë! Kreu i PD: Trillime serbo-shqiptare

Kuvendi i Shqipërisë dhe ai i Kosovës do të mbajnë ditën e nesërme një takim të përbashkët, teksa në seancën plenare që vijon ende sot, nuk kanë munguar debatet lidhur me bojkotin e Partisë Demokratike.

Deputetët opozitarë akuzuan socialistët se do të shkojnë nesër në Prishtinë “me një njollë të zezë”, pasi nuk kanë votuar rezolutën për njohjen e gjenocidit serb në Kosovë.

Deputeti i PS-së Taulant Balla u është përgjigjur duke i thënë se gjatë qeverisjes së Berishës, heroi i Kosovës, Adem Jashari është arrestuar në Tiranë.

“Adem Jasharin e keni arrestuar ju! E keni arrestuar ju në Tiranë. Dhe sa i përket asaj që ju doni të merrni “like” në Facebook, kënga e Shkurtes nuk është ndaluar, dhe unë kam kontaktuar me të dhe i kam thënë “Shkurte, mos i dëgjo disa gojë të liga se nuk është e vërtetë”, u shpreh Balla.

Berisha iu përgjigj, duke e quajtur një ngjarje të tillë si shpifje të fabrikuar në Beograd dhe të përhapur më pas në Tiranë.

“Arrestimi i Adem Jasharit është një trillim serbo-shqiptar i turpshëm, s’ka ndodhur kurrë në territorin e Shqipërisë. Adem Jashari është stërvitur në territorin e Shqipërisë, në 1991-92 dhe ai nuk është arrestuar kurrë në asnjë rast. Ata që e hapën këtë shpifje, e morën në Beograd dhe e sollën në Tiranë. Rezolutën e keni rrëzuar. Votojeni sot që të hiqni atë njollë të zezë që keni për gjenocidin serb në Kosovë”, deklaroi Berisha.

Postime të lidhura