zoom

Lajme

Pse duhet t’i hidhni enët plastike të zeza të gatimit që keni në kuzhinën tuaj?

Mjetet me të cilat gatuani mund të jenë duke futur një përbërës të padëshiruar në darkën tuaj familjare: retardantët e flakës (rezistentët ndaj zjarrit). Këta janë një grup i larmishëm kimikatesh që u shtohen materialeve të prodhuara, të tilla si plastika dhe tekstilet. Ata aktivizohen nga prania e një burimi ndezës dhe parandalojnë ose ngadalësojnë zhvillimin e mëtejshëm të flakës nga një sërë mekanizmash të ndryshëm fizikë dhe kimikë.

Një studim, i botuar muajin e kaluar në revistën Chemosphere, testoi 203 produkte shtëpiake të bëra nga plastika e zezë. Studiuesit zbuluan se 85% e tyre përmbanin nivele të larta të retardantit ndaj flakës.

Kur gatuani ose shërbeni me enë plastike të zeza, si spatula, garuzhde, kapëse apo lugë, materialet toksike brenda mund të depërtojnë në ushqimin tuaj. Nxehtësia bën që kalimi të ndodhë edhe më shpejt.

Ekspozimi ndaj retardantëve është shqetësues, sepse mund të shkaktojnë kancer dhe probleme me riprodhimin, zhvillimin, sistemin endokrin dhe trurin.

Gatimi me çdo lloj plastike është i diskutueshëm, thonë ekspertët, por plastika e zezë është veçanërisht e rrezikshme, sepse burimi i saj shpesh janë mbetjet elektronike të ricikluara.

Televizorët dhe kompjuterët trajtohen me retardantë të flakës në mënyrë që të mos shkaktojnë zjarr në shtëpi, raporton Atlanticreport, por problemi lind kur e-mbeturinat përdoren më vonë për të bërë sende të reja shtëpiake që nuk kanë nevojë dhe nuk duhet të kenë retardant.

“Pavarësisht mungesës së transparencës dhe kufizimeve, plastika nga elektronika shpesh riciklohet dhe mund të përfshihet në sendet shtëpiake që nuk kërkojnë ngadalësim të flakës, duke rezultuar në ekspozim potencialisht të lartë dhe të panevojshëm”, shkruajnë autorët e studimit.

Studiuesit zbuluan gjithashtu deca-BDE në enët plastike të zeza të kuzhinës. Është një kimikat i rrezikshëm sintetik që është ndaluar, por përdoret për të bërë kasa elektronike. Pavarësisht se u ndalua në vitin 2021, duket se ende po hyn në shtëpitë tona përmes plastikës së ricikluar.

Por asnjë pjesë e vetme e plastikës së zezë nuk është e kontaminuar, tha biokimisti Andrew Turner për Atlantic. Problemi është se njerëzit e zakonshëm nuk kanë asnjë mënyrë për të dalluar se cilat nga veglat e tyre, kontejnerët e ushqimit ose lodrat e fëmijëve janë toksike dhe cilat jo.

“Është thjesht një fushë e minuar, me të vërtetë,” tha ai.

Opsioni më i sigurt? Hidhni pajisjet e zeza plastike dhe zëvendësojini me enë gatimi silikoni, metali ose druri.