Aplikacion
Pak kohë më parë u zbulua se nga Rinasi niseshin drejt Stambollit, në Turqi, valixhe me kanabis. Sot policia ka sekuestruar disa ngarkesa me preparate që përdoreshin për pëgatitjen e drogave të ndryshme.
Operacioni policor i koduar “Transit” çoi në pranga 5 shtetas nga Kosova. Të arrestuarit janë B. Z., 45 vjeç, F. Z., 34 vjeç, A. I., 23 vjeç, A. G., 20 vjeç, A. M., 21 vjeç.
Policia njoftoi se kishte marrë informacion nga inteligjenca policore për futjen e këtyre mallrave kontrabandë. Nga kontrolli i ushtruar në 14 valixhe, bagazhet e të arrestuarve, janë konstatuar 1 057 840 tableta (barna) me peshë 417.1 kg, që dyshohet se përdoren si preparate për përgatitjen e lëndëve narkotike.
Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit B. Z., shërbimet e Policisë i gjetën 300 000 euro, të cilat ai nuk i kishte deklaruar në kufi.
Nga verifikimet e kryera dyshohet se 5 të arrestuarit do të futnin në Shqipëri dhe më pas në Kosovë, barna të blera në Jordani. /Zoom.al