zoom

Kosova

Dialogu dhe sulmet në Kosovë/ Çfarë u diskutua në takimet e Brukselit

Shefja e re e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka zhvilluar takime të ndara me krerët e Kosovës dhe Serbisë me të cilët ka biseduar për dialogun për normalizimin e raporteve mes dy vendeve, për sulmin në Banjskë dhe shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok.

Takimet e ndara në Bruksel mes Kallasit dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk ishin në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.

“I takova presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti. E vetmja rrugë drejt anëtarësimit në BE është përmes normalizimit të raporteve mes tyre, në bazë të Marrëveshjes së Ohrit. Mirëprita gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar pas sulmit të fundit terrorist. Kryesit duhet të përballen me drejtësinë”, tha Kallas përmes një postimi në rrjetet sociale.

Kallas po ashtu tha se do të punojë për rajonin e Ballkanit Perëndimor, “në mënyrë që të mund të ecim përpara në një rrugë me procesin e zgjerimit, që është në dobi të BE-së dhe këtyre vendeve. Dhe rruga tjetër është të përpiqemi të ulim realisht tensionet ekzistuese, në mënyrë që të mund të ecim përpara në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ku edhe unë jam i gatshëm të investoj kohën time”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se me Kallasin ka diskutuar për çështjen e integrimit evropian të Kosovës dhe për raportet me Serbinë fqinje, teksa tha se Kallas është “në kohën e duhur dhe në vendin e duhur”.

“Nga liderët që ka Evropa sot, besoj se zonja Kallas është në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Ne kemi shpresa të mëdha që Kosova që rajoni i Ballkanit Perëndimor do të përfitojë shumë sa i përket vlerave evropiane, demokratike, mbështetjes ekonomike e financiare dhe paqes dhe sigurisë në përgjithësi”, tha Kurti pas takimit.

Kurti tha për gazetarët se ka kërkuar nga strukturat e reja të Komisionit Evropian që të insistojë në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Serbinë, të arritur vitin e kaluar dhe të mos e harrojnë këtë marrëveshje sa herë përmendet dialogu.

Kurti tha se e ka njoftuar Kallasin për hetimet lidhur me sulmin e fundit që ndodhi më 29 nëntor në Zubin Potok ndaj kanalit të Ibër-Lepencit dhe tha se ka përsëritur kërkesën drejtuar Serbisë për dorëzimin e Millan Radoiçiqit, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur të 24 shtatorit të vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit.

Duke folur për shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit, për të cilin Kosova e ka fajësuar Serbinë, Kurti tha se janë gjetur shumë elemente ruse.

Bashkimi Evropian e ka cilësuar sulmin e 29 nëntorit në Zubin Potok “akt terrorist” dhe “sabotues” të infrastrukturës kritike të Kosovës.

“Ka armatim të konfiskuar dhe materiale që janë gjetur. Nga 74 emblema që u konfiskuan, 20 prej tyre janë ruse, prej njësive të ndryshme ruse, të tjerat janë kryesisht serbe. Është edhe një e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që na bën të mendojmë se dikush ka dashur që hetimet e ardhshme të shkojnë në drejtim të gabuar, apo siç thuhet në fjalorin e NATO-s ‘false flag operation’”, tha Kurti, duke përsëritur kërkesën drejtuar bashkësisë ndërkombëtare për ndihmë.

Ndërkaq, pas takimit me Kallasin, Vuçiq tha për gazetarët se biseda me shefen e diplomacisë evropiane “nuk ishte e lehtë”, por tha se biseda ishte e sinqertë dhe e hapur.

“Ajo [Kallas] insistoi për një përputhshmëri më të madhe të politikës sonë të jashtme, veçanërisht për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, për vazhdimin e dialogut dhe një gatishmëri më të madhe për kompromise me Prishtinën, si dhe për zgjidhjen e shpejtë të rastit në Banjskë”, tha Vuçiq, për gazetarët në Bruksel, duke shtuar se ai u përgjigj ndaj këtyre kërkesave “në përputhje me politikën e Serbisë”.

Ai përsëri mohoi pretendimet e Kosovës se Serbia qëndron pas shpërthimit në Zubin Potok, kur u dëmtua infrastruktura kritike e Kosovës.

Udhëheqësi serb shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me të gjithë në hetimin dhe ndalimin e mundshëm, si dhe në ndjekjen penale të personave përgjegjës.

Presidenti i Serbisë përsëriti se autoritetet serbe do të informojnë publikun sapo të kenë ndonjë provë lidhur me atë se kush është përgjegjës për sulmin në Zubin Potok. Rel/