Aplikacion
Më shumë se 2.3 milionë mesazhe në 33 gjuhë të shkëmbyera për trafik droge, trafik armësh dhe pastrim parash u përgjuan dhe u deshifruan gjatë hetimit.
Për këtë aplikacion pak kohë më parë foli edhe i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, duke zbardhur bisedat që bënte aty me Suel Çelën, koka e bandës së Elbasanit.
Sipas tij, në vitin 2022 Çela e ka kontatuar në Matrix për të vrarë pronarin e shkollës “Wilson” në Tiranë.
Rrëfimi i Nuredin Dumanit:
“Gjatë komunikimit që kam pasur me Suel Çelën në Matrix, më dha një kontakt të një mikut të vet, që ishte i interesuar për eliminimin e pronarit të shkollës Wilson. Më dha kontaktin e këtij personi dhe me këtë person fola disa ditë dhe më kërkoi eliminimin e pronarit të shkollës Wilson për shumën 150.000 euro. Më kishte dërguar disa foto, garazhin e banesës (i cili ishte me hyrje dhe dalje të ndryshme), në zonën e Bllokut, foton e personit që kishte shkollën, foto ku ishte së bashku me gruan dhe djalin e tij në një restorant. Unë fillimisht që të kryeja këtë punë i kërkova 200.000 euro. Ai më ofroi shumën prej 150.000 euro. Këtë person nuk e kam parë asnjëherë dhe nuk e njoh dot. Në telefon regjistrova vetëm numrin e kontaktit të tij. Për këtë vrasje unë kontaktova Henrik Hoxhaj (Rikun) dhe shokun e Rikut që thirrej “nipçja” dhe për të cilin kam dhënë shpjegime edhe më parë. I thashë Rikut që do t’i jepja 100.000 euro që të kryente këtë punë. Me Rikun kontaktova në telefon me aplikacionin Matrix. Rikun në Matrix e kam regjistruar “kusho”. Riku pranoi dhe unë i dhashë atij fotografinë e personit si dhe të ambienteve që m’i kishte dërguar i interesuari për të realizuar vrasjen. Henriku më ka treguar se pronari i shkollës Wilson e pinte kafen zakonisht te lokali përballë garazhit… Ditën e ngjarjes Riku komunikoi me mua në Matrix dhe me tha “kusho lëre se u fëlliqëm”. Riku më tha se i ishte bllokuar arma. Sipas Rikut në drejtim të objektivit ka qëlluar “nipçja:. Nuk e di se çfarë makine kanë përdorur për të vajtur apo për tu larguar nga ngjarja. Pas ngjarjes i shkrova kontaktit që më dha Suel Çela dhe i thashë me fal se dështuam. Ky personi me tha se e kishte marrë vesh dhe më tha të jenë mirë çunat. Fola dhe me Suelin për këtë por e trajtuam si me shaka, pasi ai ishte i kujdesshëm në bisedë. Për këtë porosi Henriku ka marrë 10.000 euro kapar. Personi i cili ishte i interesuar dhe që ma kishte dhënë Sueli, më tha nxirr dikë te Tegu të marri kaparin prej 10.000 euro. Më pas unë komunikova me Rikun të cilit i thashë të shkonte te parkingu i Tegut që të merrte 10.000 euro. Henriku më ka thënë se ka shkuar me një makinë ML dhe kur ka qenë te parking e kam thënë të presi në makinë, më pas i ka shkuar te xhami një person që i ka dhënë porosinë prej 10.000 euro. Edhe pse puna nuk u krye nuk e kemi kthyer shumën prej 10.000 euro”.