zoom

Aktualitet

SPAK rrëzon pretendimet e Berishës: Alfred Dedja nuk ishte dëshmitar i vrasjes së Jan Prengës

SPAK ka mohuar përfshirjen e Alfred Dedjas në rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar reagoi sot pas deklaratës së ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili u shpreh se Dedja u vra sepse ishte menaxher dhe dëshmitar në vendin ku u copëtua trupi i Jan Prengës.

Por SPAK thotë se diçka e tillë nuk është e vërtetë, madje mohon që Alfred Dedja (i vrarë dje në Ndroq) të ishte menaxher në resortin “Golden” në Shijak, në pronësi të Altin Hajrit.

Reagimi i plotë i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar hedh poshtë deklaratat e pavërteta që e lidhin A.D, viktimën e krimit të kryer mbrëmë në Ndroq me një ngjarje që daton në vitin 2020, e cila hetohet prej saj.

Mbështetur mbi hetimet e kryera nga SPAK deri në këtë fazë, në kuadër të procedimit penal nr.60 të vitit 2020, personi i ekzekutuar mbrëmjen e djeshme, A.D nuk rezulton të jetë dëshmitar apo të kishte lidhje me pengmarrjen, ekzekutimin dhe fshehjen e trupit të viktimës Jan Prenga, ngjarje e ndodhur në Janar të vitit 2020. Emri i tij nuk rezulton të ketë qënë i përfshirë në listën e punonjësve apo dhe listëpagesat e kompleksit “Golden“, në Shijak, pronësi e Altin Hajrit, në kohën e kryerjes së krimit.

I pandehuri Altin Hajri, pronar i kompleksit “Golden” akuzohet si pjesëmarrës në grupin e strukturuar kriminal që ka kryer rrëmbimin e shtetasit Jan Prenga. Ai është në masë sigurimi “arrest me burg” në mungesë dhe çështja në ngarkim të tij po gjykohet në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në gjykim janë Dritan Rexhepi dhe Gentjan Funiqi, të cilët kanë urdhëruar rrëmbimin e tij; Martin Bleta dhe Korado Kështenja që organizuan pengmarrjen ndërsa ekzekutimin Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini, të cilët e dërguan viktimën pas rrëmbimit, në kompleksin “Golden”.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka drejtuar disa kërkesa zyrtare strukturave të policisë, si organi përgjegjes për ekzekutimin e masës së sigurisë ndaj shtetasit, Altin Hajri.