zoom

Aktualitet

E FUNDIT/ Dorëzohet Julian Gjoni, vrau Alfred Dedjan në mes të lokalit në Ndroq

Julian Gjoni, 26-vjeçari i akuzuar për vrasjen e Alfred Dedjas në Ndroq të Tiranës pasditen e djeshme, u vetëdorëzua në polici 24 orë pas krimit të rëndë.

Sipas policisë, ai u dorëzua sepse grupi hetimor ia pamundësoi të qëndronte i fshehur.

Julian Gjoni është kunati i Altin Hajrit. Ai ishte ulur në restorantin “Kështjella” në Ndroq, kur pranë tij shkoi edhe Alfred Dedja. Pas një debati, Gjoni qëlloi 5 herë në drejtim të Dedjas, duke e lënë të vdekur.

Julian Gjoni ishte arrestuar disa vite më parë për armëmbajtje pa leje. Por ai shpëtoi nga burgu falë ndërhyrjes së Jurgis Çyrbjes, nder i kërkuar nga kunati i tij, Altin Hajri.

Njoftimi i plotë i policisë:

Në vijim të veprimeve për ngjarjen e ndodhur më datë 01.12.2024, ku rreth orës 15:30, në një lokal në Ndroq, mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi A. D., rreth 50 vjeç, ju informojmë se:

Falë veprimeve të shpejta dhe të koordinuara të Policisë së DVP Tiranë në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, kontrolleve të shumta të ushtruara bazuar në inteligjencës policore, gjetjen dhe bllokimin e automjetit të dyshuar që kishte përdorur autori, si dhe bllokimit të rrugëkalimeve dhe pamundësisë për të qëndruar i fshehur, autori i dyshuari u dorëzua në Polici.

Në vijim të veprimeve Specialistët për hetimin Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë bënë ndalimin e autorit të dyshuar, shtetasit J. Gj., 26 vjeç, banues në Shijak.

Për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes, për sigurimin dhe sekuestrimin e provave dhe kapjen e ndalimin e autorit, Strukturat e Hetimit të Krimit në DVP Tiranë, kanë punuar me profesionalizëm në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë dhe strukturat e tjetra të Policisë së Shtetit.

Grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj ligjor.