zoom

Lajme

Berisha:Rikthehem nesër në Parlament. Rama po u vjedh shqiptarëve 1.3 mld euro me Portin e Durrësit

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha do të rikthehet pas 11 muajsh në Kuvend, duke marrë pjesë në seancën e nëserme ku do të votohet nen për nen buxheti i vitit 2025.

Berisha në konferencën për shtyp tha se dritarja zëvendësoi parlamentin, teksa theksoi se rikthimi në Kuvend do të jetë vazhdim i betejës së tij dhe PD-së deri në fitore.

“Kthehem nesër në Parlament në vazhdim të betejës sime deri të fitore. PD është forcë politike e fitores dhe nuk ka gjë në bota të ndalojë. Hapat janë të qartë. Edi Rama do marrë atë që meriton, nga shqiptarët dhe ndërkombëtarët. Jemi në betejë”, tha ish-kryeministri.

Ai deklaroi se arresti në shtëpi ishte sipas tij një akt puçist i kryer në shkelje të Kushtetutës nga Edi Rama.

“Ishte një grusht shteti brenda shtetit ku merret një pushtet për t’ia dhënë një pushteti tjetër, mirëpo siç jeni dëshmitarë, me persistim, u arrit që ajo dritare të shndërrohej në dritaren e ferrit për Edi Ramën dhe qeverinë.

Ata me ethe përcillnin çdo natë fjalën time, që ia drejtoja publikut por edhe atyre. Jeni dëshmitarë sesi dritarja zëvendësoi parlamentin dhe Edi Rama në fjalimet e tij shprehte vrerin e papërmbajtur ndaj dritares. U vartësova unë prej tij apo ai te unë? Doli shumë e qartë.

Kthehem nesër në Parlament në vazhdim të betejës sime deri të fitore”, deklaroi Berisha ndërsa bëri me dije se do të nisë edhe takimet me diasporën.

Në fjalën e tij Berisha u ndal gjithashtu edhe tek Porti i Durrësit ndërsa deklaroi se ky port i ri do të kushtojë 1.3 miliardë euro.

“Sipas projektit të kompanisë holandeze, porti i ri do të kushtojë 1.3 miliardë euro. Kjo është gjoba më e madhe në histori ndaj shqiptarëve. Ky është një fond i barabartë me rritjen 150 për qind, mos më shumë, të rrogave të shqiptarëve.

Ky është një fond i barabartë me rritjen 100 për qind të pensioneve të shqiptarëve. Dhe të gjitha këto vetëm për parajsën e Edi Ramës. Ky është një krim që i tejkalon çdo proporcion. Tenderi i hapur, siç e dini, ishte rreth 400 milionë euro, në një kohë kur pensionistëve, me pensionet më të ulëtat në botë dhe me çmimet më të lartat, unë ftoj mediat t’u tregojnë të vërtetën e çmimeve shqiptarëve krahasuar me Greqinë, Italinë dhe Gjermaninë”, tha Berisha.