zoom

Bota

Trump zgjedh në krye të FBI-së të besuarin e tij: Do të çmontojë bandat e emigrantëve

Donald Trump ka vendosur t’i besojë drejtimin e FBI-së Kash Patel, një besnik i palëkundur i tij.

Në një postim në rrjetet sociale, presidenti i zgjedhur amerikan u shpreh se nën drejtimin e Patel, FBI do të çmontojë bandat kriminale të emigrantëve, temë kjo që ka qenë në fokus të fushatës së tij elektorale.

“Kjo FBI do t’i japë fund epidemisë në rritje të krimit në Amerikë, do të çmontojë bandat kriminale të migrantëve dhe do të ndalojë plagën e keqe të trafikut të njerëzve dhe drogës përtej kufirit. Kash do të punojë nën Prokurorin tonë të Përgjithshëm të madh, Pam Bondi, për të rikthyer besnikërinë, guximin dhe integritetin në FBI”, tha Donald Trump.

Patel zëvendëson në krye të FBI-së Christopher Wray, i cili nisi një hetim ndaj Trump.

Në vitin 2022, FBI kontrolloi shtëpinë e tij në Florida për dokumente sekrete të mbajtura ilegalisht.

Gjatë mandatit të parë presidencial të Trump, Patel shërbeu në mbikëqyrjen e divizionit kundër terrorizmit në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe si shef i shtabit në Departamentin e Mbrojtjes.