zoom

Lajme

Ndërron jetë Liz, 17-vjeçarja me kancer që frymëzoi Princeshën Kate

Liz Hatton, vajza që vuante nga një formë shumë agresive e kancerit, e cila kishte frymëzuar Princeshën Kate Middleton  për forcën dhe dëshirën e saj për jetën e treguar në përballjen me problemin e rëndë shëndetësor, ka vdekur në moshën 17-vjeçare.

Liz, një fotografe e re, dhe Kate u takuan më 2 tetor në Kështjellën Windsor. Vajza nga Harrogate, North Yorkshire, Angli, ndërroi jetë në shtëpi e rrethuar nga të dashurit e saj.

Kate, e cila rifilloi angazhimet e saj publike disa muaj pasi u diagnotikua me kancer në muajin mars, kishte lavdëruar fotografen e re të talentuar, fotot e të cilës ishin publikuar në profilet sociale të Princave të Uellsi.

Liz, e cila u shoqërua nga familja në vizitën e saj në Windsor, tha se ndihej “mbi hënë” pasi takoi trashëgimtarin e fronit William dhe gruan e tij Kate. Në muajt e fundit të jetës së saj vajza kishte arritur të realizonte disa nga ëndrrat e saj si fotografimi i një shfaqjeje në West End, organizimi i një ekspozite me fotot e saj dhe takimi me fotografin Rankin.

Gjatë takimit të saj privat në Windsor, vajza u përjetësua teksa shkëmbente një përqafim me princeshën. Imazhi u publikua në profilet sociale të princave të Uellsit dhe bëri xhiron e botës. “Është kënaqësi të takoj Liz-in në Windsor. Një fotografe e re e talentuar, kreativiteti dhe forca e së cilës na kanë frymëzuar të dyjave. Faleminderit që ndave fotot dhe historinë tënde me ne”, ishte komenti i shkruar që shoqëronte imazhin.

“Na vjen shumë keq që dëgjuam lajmin për vdekjen e Liz Hatton. Ishte një nder që takova një grua të re kaq të guximshme dhe të përulur. Mendimet dhe lutjet tona shkojnë për prindërit e Lizit, Vicky dhe Aaron, dhe vëllai i saj Mateo”, kanë shkruar princat e Uellsit në një story në Instagram.