Aplikacion
Një fëmijë 12-vjeçar i drejtoi thikën një bashkëmoshatari brenda shkollës, por edhe pas thirrjes së prindërve për hetime dhe për verifikime, stafi pedagogjik dhe policia nuk mori asnjë masë.
Marius Sosoli, nga fshati Lukovë, ka denoncuar në emisionin “Fiks Fare” se djali i tij është kërcënuar me thikë brenda shkollës së fshatit, më datë 29 tetor 2024.
Sipas tij, djali është 11 vjeç, ndërkohë që autori është 12.
“Iu drejtova Fiksit se djali më ka ardhur me shenja nga shkolla. Kam foto të tij dhe tani s’do të shkoj më në shkollë. Në fund të tetorit erdhi dhe më tha se i drejtuan thikën. Telefonova mësuesen dhe ajo s’dinte gjë. Ai personel nuk kujdeset për fëmijët dhe kemi frikë,” thotë denoncuesi.
Sipas tij, edhe pas kërcënimit me thikë, djalin e kanë rrahur brenda shkollës.
“Ata të shkollës nuk më tregojnë se çfarë ndodh. As kur e rrahin dhe as për ndonjë gjë tjetër. Ata nuk e kanë vlerësuar ngjarjen dhe nuk kujdesen për sigurinë e fëmijëve” thotë denoncuesi, ndërkohë që shton se djali i ka thënë se, kur e kanë kërcënuar me thikë, ka shkuar polici në shkollë dhe atë e bashkëshorten nuk i kanë lajmëruar.
“Në datë 19 nëntor në fshat ishte polici dhe djali e pa e më tha se ky është polici që më pyeti. Erdhi inspektori dhe më kërkonte llogari që të mbaja mirë djalin. I thashë kur i nxorën thikën s’e hetuan dhe ai as nuk e dinte. Më pas më la takim në datë 20 nëntor që të takonim stafin e shkollës” thotë ai.
Në fund shton se vendosi të denoncojë tani për shkak të tragjedisë në Tiranë dhe frikës se mos ngjarja mund të përsëritet.
“Kemi frikë ta çojmë në shkollë. Ai s’do të shkojë më në shkollë, kur i them do të marr me vete në punë vjen me shpejtësi”, thotë ai.
Pas ankesës, Mariusi shkon në Shkollën 9-vjeçare në Lukovë dhe te dera e shkollës takon inspektorin e policisë së zonës. Në korridor polici i thotë se duhet të presë dhe ai vetë hyn dhe qëndron 16 minuta në zyrën e drejtorit të shkollës. Më pas denoncuesi futet dhe atje gjen drejtorin, policin, mësuesen kujdestare dhe 1 nxënës të moshës së djalit të tij.
Në biseda dhe dabate, të gjithë pranojnë se është përdorur thikë brenda shkollës dhe askush s’ka marrë masa. Madje, i kërkojnë shpjegime prindit se përse nuk e ka denoncuar atëherë por kujtohet tani. Madje ata “akuzojnë” edhe djalin e tij se është problematik dhe shumë i lëvizur.
Tashmë, pas tragjedisë së Tiranës, polici dhe stafi pedagogjik diskutuan këtë çështje por shkolla s’ka as oficer sigurie dhe as psikologë. Megjithatë, drejtori ndryshe nga sa deklaroi në atë takim, para kamerës mohon të ketë pasur thikë.
“Hiç gjë ka ndodhur, e vetmja gjë që fëmijët diçka u ngatërruan me njëri-tjetrin dhe mbaroi filmi. Në datën 5 u bë incidenti, në datën 6 thirrëm inspektorin e zonës e zgjidhëm problemin! Ai është incidenti, nuk e kemi parë, nuk na tha njeri asnjë gjë. Kemi dëgjuar prindin, prindi ka marrë në telefon në orën 7 të pasdites. Nuk e pa asnjë thikën, nuk e pa asnjë” thotë ai.
I pyetur se çfarë mase është marrë tani pas asaj ngjarje, teksa ai përgjigjet se “kemi marrë masa, duke filluar që nga kontrollet e çantave”. Më tej shton se nga ballafaqimi me policin, rezultoi se prindi gënjente.
“Nuk ka shans me atë fëmijë që ta prekë dikush. Pse i kërkuan detyrat e shtëpisë” pohon ai, teksa gazetarët e pyesin nëse kanë lajmëruar Zyrën Vendore të Arsimit Himarë apo Drejtorinë e Arsimit Parauniversitar në Fier.
Drejtori përgjigjet se jo, “sepse e quajtëm diçka që nuk qëndron. Kam lajmëruar inspektorin e zonës. Nuk e pamë të arsyeshme”. Në fund, shton se shkolla s’ka oficer sigurie dhe psikologë, ku këto role i kryen stafi pedagogjik, i cili lejon policin e zonës të pyesë fëmijët pa praninë e psikologëve dhe prindërve.
***
Ballafaqimi mes prindit, policit dhe stafit pedagogjik të shkollës
Polici – (Futet në zyrën e drejtorit) Prit një sekondë aty (korridor), një sekondë!
Pas 16 minutash …
Futet në zyrën e drejtorit, i pranishëm polici, drejtori, mësuesja dhe një fëmijë
Polici – Sa po bën kjo që ka ndodhur ky problemi i fundit?
Prindi – Ka 2 javë.
Polici – Se unë thashë se mos ishte problem përsëritës se këtë ma kanë thënë mua këta (mësuesit).
Drejtori – Kur është dhunuar djali?
Prindi – Djali është dhunuar prapë pas 5 ditëve
Drejtori – Ku?
Prindi – Këtu në shkollë.
Polici – Me duar kështu?
Prindi – Me duar, me grushte me shumë gjëra. Unë për thikën të thashë?!
Mësuesja – Më the, edhe në çfarë të thashë?
Prindi – Ç’u bë? Asnjë gjë. Pas disa ditësh më erdhi djali i dhunuar.
Mësuesja – Të kërkoi falje djali, të tha …
Prindi – S’është puna e faljes, ai po t’ma theri mua djalin çdo bëj unë!
Polici – O vëlla një sekondë, po ti ça pret që të bëhet?
Mësuesja – I morën në drejtori, ju morëm në drejtori?
Nxënësi – Po.
Mësuesja – Ja ku është drejtori.
Polici – O vëlla, se do flasim pak bashkë pastaj. Ti mos prit se çfarë do bëjnë këta, se do të vrasë këta ajo se i nxori thikën. Nuk e bën dot!
Prindi – Të njoftojë prindërit, të marrë masat.
Mësuesja – I njoftova prindërit.
Polici – Më dëgjo pak, janë njoftuar prindërit.
Prindi –Dhe fëmija im të bëjë diçka të merren masa këta që janë për atë punë.
Polici – Me këtë rast (thikën) jemi marrë njëherë ne. Unë kam folur njëherë me djalin (pa praninë e psikologëve dhe prindërve) për këtë. Unë po të them në lidhje me konfliktin se u zunë fëmijët me njëri-tjetrin, kështu me grushte, dhe ne dhe ti je cënuar kur ke qenë i vogël. I gjithë problemi vëlla është që mos të agravohet mos t’na nxjerrin nga këto budallallëqet që bëjnë se vdiq tjetri pardje. Nga këto unë s’dua të ketë më këtu. Se do të vij vetë dhe do t’ju kontrolloj një për një. Ju gjeta gjënë më të vogël (i drejtohet nxënësit), do ta keni ndryshe punën. Në rregull?! Do të marr babin do ta fus në burg pastaj. Edhe ti rri në burg pastaj.
Drejtori – Edhe në datën 4 është ajo (rrahja) dhe ai incidenti me thika ndodhi në datën 5 (nëntor) e kupton.
Polici – Ti më the mua para 3 ditësh ma kanë dhunuar çunin.?
Prindi – Po.
Polici – Kjo (rrahja) është në datën 4 para thikës. O ti më dëgjo pak, ça do ti të përfitosh këtu vëlla?
Prindi – Asgjë s’dua të përfitoj, unë dua kujdes ndaj fëmijëve.
Polici – Bravo, të gjithë kemi ardhur këtu për shëndetin e fëmijëve. Më dëgjo pak, pse s’je marrë me rastin kur ka ndodhur po na thua pas 1 muaji, ç‘është ky muhabet?! Para 5 ditësh thua ti.
Mësuesja – Po. Të hënën më more në telefon ti.
Polici – Po ka ndodhur në datën 4, para thikës. O vëlla, tani është data 20, lërë thikën, thika ka 15 ditë.
Prindi – 2 javë.
Polici – Kurse kjo ka më pak.
Prindi – Kjo ka 10 ditë. Lërë foton, iku foto. Tani unë dua kujdesin e fëmijëve.
Polici – Ore ti më dëgjo pak, se s’do të japë llogari ty ajo (mësuesja), as mua se ku ka qenë në atë datë.
Prindi – As mua s’më jep llogari.
Polici – Po pra, në lidhje me … Ajo do më japë llogari mua në radhë të parë, dhe ty, në lidhje me rastin.
Prindi – Ai është brenda në shkollë s’e komandoj dot. Kur është te shtëpia e komandoj unë./