zoom

Aktualitet

Shqipëria me numrin më të ulët të studentëve të huaj në Europë

Studimet e larta janë një mënyrë e mirë për të gjeneruar të ardhura nga jashtë dhe shumë shtete ofrojnë mundësi për të tërhequr studentë nga vendet e tjera.

Sipas të dhënave të Eurostat që i takojnë vitit 2022 rezulton se Shqipëria kishte numrin më të ulët të studentëve të huaj në Europë me vetëm 1872 të tillë.

Vendi ynë ka renditje shumë më të dobët se edhe vendet e tjera të Rajonit. Në Maqedoninë e Veriut u numëruan mbi 4700 studentë të huaj, ndërsa në Serbi mbi 11,200 të tillë.

Ndër vendet europiane, Franca, Gjermania dhe Turqia kryesojnë Europën për numrin e lartë të studentëve të huaj. Në vitin 2022 mbi 263 mijë studentë kishin zgjedhur universitetet franceze për studime, të ndjekur nga Gjermania me 252 mijë studentë të huaj dhe Turqia me 244 mijë të tillë.

Polonia, Spanja, Italia ishin ndër vendet e tjera me numrin me të lartë e studentëve të huaj me nga rreth 90 mijë secila.

Nga vendet e Gadishullit Ballkanit bie në sy Rumania me rreth 38 mijë studentë të huaj.

Të rinjtë kur vendosin të studiojnë në një vend të huaj, nisën nga cilësia arsimore dhe nga kostot ( të tilla si tarifat e studimeve-kostot e jetesës si qiratë dhe ushqimi).

Vende të tilla si Gjermania dhe Franca ofrojnë arsim të lartë cilësor dhe tarifa të ulëta, ndërsa vendet e lindjes zakonisht zgjidhen për kostot e ulëta të jetesës.

Shqipëria në krahasim me vendet e tjera të Europës ofron kosto të ulëta jetese po nuk ka ofertë arsimore të cilësisë së lartë. Universitet shqiptare renditen të fundit në listat e akreditimit dhe vendi duket se nuk po bën hapa para për të rritur cilësinë edhe për vendasit.

Ekspertët e arsimit sugjerojnë se Shqipëria duhet të mendojë fillimisht të përmirësojë ofertën e arsimit të lartë për të frenuar ikjen e të rinjve shqiptarë për të studiuar jashtë vendit.

Të dhëna nga OECD-së tregojnë se një stok prej rreth 18 mijë studentësh shqiptare ndjekin studimet në universitet jashtë vendit.

Megjithatë universitetet private në kushtet kur numri i të rinjve po bie me shpejtësi po përpiqen të ndërtojnë oferta dhe programe mësimore për të huajt./Monitor