Aplikacion
Banori 1: A ka mundësi me na pezullu guroren ti, me i vu shiritat si shtet se këtu është vend krimi se na kanë shemb shpiat apo jo? Se më një vend krimi, policia merr masa apo jo? Rrethohet zona, na blloko mjetet ti komplet këtu e hajde na merrena vesh.
Policia: Përsa i përket bllokimit, nuk e bllokojmë ne…
Banori 1: S’e bllokon ti?
Policia: S’e bllokoj se…
Banori 1: O ne jena të vdek o vlla, fëmijët, shpiat, krejt, uji, të gjitha. Veni shiritin atje e ne ikim në punë tonë.
Policia: Do merrena vesh…
Banori 1: Ti si thua? Robi që ka vdek, leje të rrijë aty se vjen Prokuroria aty, blloko zonën si shtet.
Banori 1: Or ti, ne jena viktima, ti thua dy viktima prit këtu!
Banori 2: 54 kg nitrat nuk shemb shtëpinë?
Banori 1: Veni shiritat e ikim në shtëpi.”
Banorët janë të bindur se ankesat dhe kërkesat e tyre nuk dëgjohen nga institucionet shtetërore, por edhe kur ato merren në konsideratë, institucionet shfaqen të pafuqishme.
Prej gati 3 dekadash, mbrapa kësaj përplasjeje qëndron oligarkia ekonomike, e cila në Shqipëri është maska që mbulon pronarët e vërtetë të pasurive publike të gllabëruara, ku shpeshherë pas saj gjenden drejtues bandash kriminale nën petkun e biznesmenit, biznesmenë që janë mësuar të përfitojnë nga fondet publike të servirura nga politikanët dhe në fund ata, politikanët e korruptuar që me “Presta Nome” shmangin ligjin, i cili i pengon të dalin drejtpërdrejt si aksionerët e vërtetë të këtyre pasurive.
Në Shqipëri, guroret janë sinonim i abuzimit të pushtetit me burimet natyrore kombëtare, i mosrespektimit të ligjit dhe vjedhjes së shumicës përballë një pakice të korruptuar, që dhunon të drejtën e jetës, shkel ligjin dhe mbi të gjitha asgjëson të ardhmen.
Aleko Miho, ekspert mjedisi thekson për Vetting: “Hidh një dinamit, bëj një tymnajë të madhe atje, ndot, zhurmë, gjithë ato që krijojnë guroret sot, nuk duhet të ndodhin, duhet të parandalohen”.
Dështimi i qeverisë me guroret
Nëse i kthehemi arkivës, vështirë të gjesh qoftë edhe një ish-ministër të mjedisit që nuk ka premtuar mbylljen apo kontrollin mbi aktivitetin e guroreve. Të gjithë janë përbetuar për zgjidhjen e problemit. Një ndër ta ishte edhe Blendi Klosi, I cili u investua personalisht në zgjidhjen e problematikës duke shkuar edhe në terren.
Në studion e News 24, Klosi do të deklaronte afate konkrete për zgjidhjen e problematikës së guroreve.
Problematika nuk nisi me Klosin, as me paraardhësin e tij dhe më herët. Guroret, si shumë aktivitete të tjera të ngjashme e kanë origjinën shumë më herët. Sipas raporteve nga organizatat mjedisore, transformimi i ekonomisë shqiptare në një ekonomi tregu të hapur mbas viteve 90’, ka shkaktuar një dëm të konsiderueshëm në natyrë dhe monitorimi pothuajse nuk ka ekzistuar. Këto aktivitete u intensifikuan dhe u bënë më të dëmshme pas vërshimit në sektorin e ndërtimeve.
“Guroret kanë qenë biznesi më i madh i këtyre viteve, ku Shqipëria doli mbas viteve ’90 dhe ndërtimi mori hov të madh në zonat urbane, në bregdet etj, kështu që duhet lënda e parë për të ndërtuar dhe guroret kanë pasur gjithnjë aktivitet të madh, sidomos në zonën e Tiranës, në zonën e Krujës që unë di, në zonën e Beratit gjithashtu e deri në hyrje të Valbonës”- thekson Aleko Miho, ekspert mjedisi.
Ky ndryshim i dha vrull ndërtimit të ligjshëm e të paligjshëm dhe në të njëjtën kohë lindi nevoja për të krijuar gurore, të cilat furnizojnë me lëndë të parë ndërtuesit, që edhe sot e kësaj dite janë personat më me ndikim në sferën ekonomiko-politike të vendit.
Një ndër dëmet që kanë sjellë guroret, por që është anashkaluar disi, lidhet me humbjen e sipërfaqeve pyjore për shkak të ndërhyrjeve në mjedis për të siguruar gurore të reja, që sigurojnë lëndën e parë për ndërtim.
Sipas Olsi Nikës: “Guroret janë një nga ndërhyrjet e qenësishme në mjedis, pra, nuk janë ndërhyrje të lehta në kuptimin janë shumë komplekse, përsa i përket ndikimeve dhe si të tilla, patjetër që duhet të shoqërohen me studime apo vlerësime të ndikimit në mjedis”.
Edhe pse e kanë të sanksionuar me ligj, kompanitë nuk rehabilitojnë zonat e shpyllëzuara për shkak të aktivitetit të guroreve që kanë kryer, duke lënë pas gropa, që sipas ekspertëve paraqesin efekte negative në mjedis.
“Unë jam i bindur që të gjithë vendet e rajonit përdorin inerte, por nuk hyn njeri që të hap gojëra të mëdha jashtë, mund të hyjnë në tunel dhe ta nxjerr atë pa dëmtuar pamjen”- thekson Miho.
Sipas të dhënave të siguruara nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, aktualisht në Shqipëri gjenden 268 gurore dhe më shumë se 95% e tyre nuk kanë kryer rehabilitimin e zonës. Ky është një problem që nuk është ngritur vetëm nga banorët dhe shoqatat mjedisore, por edhe nga vetë zyrtarët më të lartë në Ministri.
“Kemi një analizë që kemi bërë në të 287 lejet mjedisore dhe mineraret që janë dhënë për guroret e vendit dhe më vjen keq që ta them. Pothuajse në të gjithë numrin e këtyre guroreve, ka problematika. Nuk mund të pranohet që zonat janë masakruar dhe e kanë shumë të vështirë që të rehabilitohen”- thekson Klosi.
Kjo deklaratë është bërë në qershor 2018, asokohe nga vetë Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, i cili e ka mbajtur këtë post nga viti 2017 deri në shtator 2021, duke u zëvendësuar në detyrë nga Ministrja aktuale Mirela Kumbaro. Në deklaratën për shtyp, ish Ministri Klosi ka paraqitur një gjendje të situatës së guroreve në të gjithë vendin, ku fatkeqësisht në disa prej tyre dëmi është i përhershëm.
“Mund të ketë nëpër letra, por s’ka një të vërtetë që ka trajtuar rehabilitimin ashtu siç duhet, që ato pemët e prera apo zonat e prerë të rijetëzuar, po ashtu trajtimi në biznes.
Më shumë problematikë për mendimin tim është afërsia me qytetet apo afërsia me zonat historike apo me zonat e turizmit. Nuk mundet të jetohet më që njerëzit të jenë në këtë presionin e tymit, edhe presionin e gurores.”- theksonte Blendi Klosi.
Ministri, pezulloi disa leje gjatë kohës që ishte në detyrë, por guroret që ishin licencuar nuk u mbyllën, përkundrazi është rritur numri i tyre, njëherësh edhe numri i zonave që nuk janë rehabilituar. Janë fakte që “Vetting” i ka konfirmuar përmes Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.
Sipas Ligjit nr.10 304, datë 15.7.2010 “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, kompanitë ose pronarët e guroreve duhet të realizojnë rehabilitimin e mjedisit, duke filluar me rehabilitimin e sheshit të depozitimit të mbetjeve dhe të gjitha veprimtaritë e tjera, me qëllim parandalimin e dëmtimit të mjedisit e ndotjeve, duke garantuar një rehabilitim të plotë të ekosistemit në këtë zonë.
Në momentin që bizneset pajisen me lejen minerare, ato duhet të paguajnë çdo vit garancinë financiare për rehabilitimin e mjedisit, e cila bëhet në formën e një garancie bankare në favor të shtetit, që përdoret për realizimin e planit të rehabilitimit përfundimtar të mjedisit.
Guroret marrin lejen mjedisore nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, ku përcaktohet tarifa për rentën minerare dhe garancia për rehabilitimin e ambientit.
Në këtë leje gjenden koordinatat për vendndodhjen e gurores, sipërfaqja e karrierës dhe sasia e volumeve që do nxirren çdo vit. Karriera është vendi ku nxirren mineralet, drejtpërdrejt nga sipërfaqja, me anë të gërmimit ose të mënyrave të tjera, për të siguruar lëndë për ndërtim, tregti e për qëllime të tjera. Kurse renta minerare është përqindja e vlerës së mineralit të shitur, që i paguhet shtetit nga personi apo kompania që zotëron lejen minerare, si kompensim për zvogëlimin e burimeve minerare.
Guroret janë një biznes shumë fitimprurës pasi materialet që merren nga karrierat shkojnë drejtpërdrejt për projekte investimi shumë të mëdha si ndërtimi i objekteve publike, ndërtim pritash lumore, investime në rrugë, të cilat realizohen nëpërmjet procesit të tenderave publikë.
Por çfarë i lidh kaq fort guroret me pushtetin?
Në rastin kur një bashki apo një institucion publik ka planifikuar ndërtimin e një rruge, ose një projekt ndërtimi që ka nevojë për lëndë të parë, në shumë raste realizohet një tender, ku fitues shpallet kompania që gjendet pranë qytetit, e cila merr pa kriter volume ndërtimi nga gurorja, duke realizuar dhe projektin që shpeshherë ka rezultuar me vlerë të tejfryrë.
Madje për të humbur gjurmët, kjo kompani përzgjidhet si nënkontraktor nga kompania fituese dhe në këtë mënyrë ndahen paratë publike. Këto kompani, si nënkontraktor, por edhe si fitues të tenderit gjenden në çdo sektor të prokurimeve publike dhe janë një mekanizëm se si fitimet shpërndahen në dëm të ambientit dhe taksapaguesve.
Këto janë disa nga mënyrat që paraja publike qarkullon brenda një rrethi të mbyllur e të mirëorganizuar, ku edhe institucionet e drejtësisë e kanë të vështirë të depërtojnë.
Milionat që qarkullojnë përmes këtij biznesi fitimprurës sfidojnë mijëra banorë të zonave përreth guroreve me shpresën e ndoshta edhe jetën që po iu shuhet dalëngadalë prej tymnajës së këtyre zgavrave që prodhojnë para për disa, e vdekje për të tjerë.
Në progres raportin e fundit të Komisionit Europian, në kapitullin 27 trajtohen problemet me ambientin dhe sektorët ku ka ngecur Shqipëria. Në raport shkruhet se Shqipëria ka bërë progres të kufizuar dhe i duhet të krijojë agjenci për të luftuar krimet kundër mjedisit për të qenë në një linjë me direktivat e Bashkimit Europian dhe për të mbrojtur burimet ujore.
Për të kuptuar regresin që ka bërë vendi ynë, mjafton të kuptohet se aprovimi i ligjit të ri në 2024 për Zonat e Mbrojtura nga Qeveria Shqiptare është parë nga Bashkimi Europian si një hap mbrapa në këtë drejtim, pasi nuk ka direktiva apo strategji për ndryshimet klimaterike.
Në këto pamje dramatike mbi shpatet e maleve dhe kodra është projektuar egërsia e njeriut si një grabitqar që vazhdon të kafshojë prenë e vet. Shkatërrimi i mjedisit vazhdon, ndërsa këto zgavra na rrëfejnë historinë e shkatërrimit, ku grabitqari dhe viktima është vetë njeriu. Nevojiten masa konkrete për parandalimin e këtyre aktiviteteve me dëme të pariparueshme dhe ndërgjegjësim për mënyrën si të kemi zhvillim të qëndrueshëm, në harmoni me natyrën dhe në shërbim të të gjithëve, jo vetëm të pakicave. Vetëm nëse i rikthejmë natyrës atë që i kemi marrë pa mëshirë, mund të ndërtojmë një të ardhme në vendin tonë./Gazeta Panorama
Borxhi ndaj sigurimeve 240 mln euro, KLSH: Do mjaftonte për indeksimin e pensioneve për shumë vite