Aplikacion
Tradicionalisht, ky panair i mbledh botuesit, shkrimtarët dhe lexuesit në një hapësirë ku kultura e librit bëhet qendra e vëmendjes për disa ditë. Panairi i Librit ofron mundësi të veçanta për lexuesit që të njihen me veprat e reja, të marrin pjesë në aktivitete të ndryshme dhe të bashkëveprojnë drejtpërdrejt me autorët. Këtë vit, një nga temat qendrore të diskutimeve do të jetë raporti mes librit të huaj dhe atij shqip. Në një treg që përfshin gjithnjë e më shumë botime të përkthyera nga autorë të njohur ndërkombëtarë, lind nevoja për të reflektuar mbi rolin e librit shqip në ruajtjen e identitetit kulturor dhe për të përcaktuar se si këto dy prirje bashkëjetojnë dhe plotësojnë njëra-tjetrën. Botues të njohur, shkrimtarë dhe kritikë do të përfshihen në këto diskutime për të ofruar këndvështrimet e tyre mbi këtë temë
delikate.
Përtej prezantimit të librave të rinj dhe përkthimeve më të fundit, ky panair vjen në një kohë kur tregu i librit në Shqipëri po përballet me sfida të ndryshme. Shifra të fundit tregojnë një rënie të interesit për leximin tradicional, për shkak të ndikimit të mediave digjitale dhe shpërndarjes masive të përmbajtjeve online. Megjithatë, entuziastët e librit në shqip ende kanë një bazë të fortë, dhe panaire si ky japin një shtysë të re për promovimin e leximit dhe rikthimin e interesit për librin fizik.
Sektori ende vuan nga problematika të cilat ndikojnë në zhvillimin afatgjatë të sektorit të librit në Shqipëri dhe kërkojnë zgjidhje të koordinuara nga shteti, shtëpitë botuese dhe shoqëria civile për të siguruar një të ardhme më të qëndrueshme për
kulturën e leximit në vend. Sipas komunikimeve me disa nga shtëpitë botuese në Panair, një nga problemet kryesore është kostoja e lartë e botimit të librave, përfshirë çmimin e letrës, shtypshkronjës dhe shpenzimeve të tjera të lidhura me procesin e prodhimit.
Shqipëria nuk ka një industri të zhvilluar të prodhimit të letrës, prandaj shumë materiale importohen, gjë që rrit ndjeshëm koston. Ndërkohë që në shumë vende të zhvilluara librat janë të përjashtuar nga taksat ose kanë norma të ulëta TVSH-je, në
Shqipëri niveli i TVSH-së mbi librat është më i lartë krahasuar me praktikat më të mira ndërkombëtare. Kjo bën që librat të jenë më të shtrenjtë për lexuesit, duke ulur fuqinë blerëse të tyre. Botuesit shprehen se, shteti ofron pak mbështetje financiare për botuesit dhe autorët, duke lënë sektorin të përballet pothuajse plotësisht me rreziqet e tregut.
Ndërsa vende të tjera rajonale ofrojnë subvencione të drejtpërdrejta për botuesit dhe autorët e tyre për të nxitur kulturën e leximit dhe promovimin e librit, Shqipëria ka ende nevojë për politika të qarta në këtë drejtim. Gjithashtu, Shqipëria ka një treg relativisht të vogël për librat, dhe blerësit janë në një numër të kufizuar, për shkak të faktorëve ekonomikë dhe kulturorë. Rënia e fuqisë blerëse për librat, sidomos në zonat rurale, kufizon mundësinë e zgjerimit të tregut për botimet e reja. Botuesit bëjnë thirrje për nxitjen e shpërndarjes së librave shqip në diasporë, duke kërkuar subvencione për doganën, gjë që do të nxiste tregun. Shtëpitë botuese kanë bërë përpjekje të konsiderueshme për të përshtatur botimet e tyre me kërkesat e reja të lexuesve, duke ofruar tituj të rinj me cilësi të lartë dhe përmbajtje që përfaqëson diversitetin e shijeve të lexuesve. Nga letërsia artistike tek librat motivues dhe ata mbi menaxhimin financiar, libraritë dhe botuesit shqiptarë po
bëhen gjithnjë e më konkurrues në tregun rajonal dhe ndërkombëtar