Aplikacion
Intervistat treguan se blloku ka kërkuar të ulë varësinë dhe mbështetjen e tij nga SHBA-a, pavarësisht se kush zgjidhet, me politikëbërësit që shprehin më shumë besim, duke pasur parasysh se ata tashmë kanë përjetuar një mandat të Trump-it, vuri në dukje gazeta. Megjithatë, plane të ndryshme emergjence janë formuluar për të trajtuar situatën nëse kandidati republikan mund rivalen e tij demokrate, Kamala Harris.
“Një gjë është e qartë: ne nuk po rrimë këtu si lepuri përballë dritave të makinës. Pavarësisht se kush fiton zgjedhjet në SHBA, fokusi i vëmendjes së SHBA-së në të ardhmen do të jetë gjithnjë e më shumë në Indo-Paqësorin. Europianët do të duhet të bëjnë edhe më shumë për sigurinë e tyre”, tha zëdhënësi i Ministrisë gjermane të Mbrojtjes, Michael Stempfle për gazetën.
BE-ja ka eksploruar opsione për të “provuar” sigurinë e Trump-it, pasi gjatë kohës së tij të parë në detyrë ai vazhdimisht u bëri presion aleatëve të NATO-s atje për të kontribuuar më shumë për sigurinë kolektive, madje kërcënoi se do të dilte krejtësisht nga blloku i udhëhequr nga SHBA, duke i lënë europianët vetëm. Ndonëse një qëndrim i tillë është lidhur kryesisht vetëm me ish-presidentin, ai pritet të vazhdojë me figura të tjera edhe në Shtëpinë e Bardhë.
“Është fakt që Joe Biden është ndoshta presidenti i fundit që është vërtet transatlantik në kuptimin tradicional – për sa i përket karakterit dhe karrierës së tij”, tha zëvendëskryetari i komitetit parlamentar gjerman për punët e jashtme, Thomas Erndl. “Kjo është arsyeja pse Europa duhet të marrë më shumë përgjegjësi, veçanërisht kur bëhet fjalë për sigurinë.”
Blloku gjithashtu po përgatitet për një luftë të re tregtare potenciale me Trump-in. Herën e fundit që ishte në detyrë, ai vendosi tarifa të larta për çelikun dhe aluminin ndaj Bashkimit Europian dhe gjatë fushatës së tij zgjedhore është zotuar vazhdimisht se do të shkojë edhe më tej.
Zyrtarët e BE-së kanë hartuar tashmë lista të tarifave hakmarrëse për t’iu kundërpërgjigjur çdo lëvizjeje të mundshme nga Uashingtoni dhe kanë hartuar një plan për t’i ofruar Trump-it që në vend të kësaj t’i kundërshtojë praktikat e supozuara të padrejta të tregtisë kineze, thanë zyrtarë të paidentifikuar të BE-së për të përditshmen.
“Unë mendoj se ka një ndjesi se ne duhet të jemi më të përgatitur dhe të mos mendojmë se vetëm sepse shpresojmë që një luftë tregtare të mos ndodhë, nuk do të ndodhë,” tha një diplomat i BE-së pa emër. / Washington Post
Perëndimi ngre alarmin/ Rusia do të vendosë lëndë shpërthyese në avionët e pasagjerëve