zoom

Aktualitet

Kush është personi në videon e atentatit me 3 viktima në Shkodër që po e kërkon policia

Në videon e atentatit me 3 viktima e 1 të plagosur që ndodhi një ditë më parë në Shkodër, bie në sy prania e një personi në veçanti.

Është i veshur me kostum sportiv ngjyrë të zezë, siç mund të shihet në videon e publikuar nga Zoom.al, dhe gjendet pranë trupit të Hamza Licit.

Është i vetmi që ndodhet në mesin e rrëmujës që shkaktoi atentati me 30 plumba. Të gjithë personat e tjerë, në mesin e atyre që u grumbulluan pas të shtënave, qëndrojnë larg, sikur të kishte një perimetër sigurie, ndonëse në kohën e filmimit të videos policia nuk kishte mbërritur ende.

Qëndron pranë trupit të Hamza Licit dhe sheh në krahun e majtë, sikur të jetë në pritje të diçkaje që duhet të vijë nga ajo anë e rrugës.

I ka duart me gjak, çka tregon se mund t’i jetë afruar ndonjërit prej viktimave për t’i dhënë ndihmë.

Arlind Bushati, në momentin e xhirimit të videos, ka qenë ende në jetë. Ai vdiq disa orë më vonë në spitalin e Shkodrës.

Pak më tutje janë trupat e Arlind Bushatit, që ndodhej në makinë me Licin dhe të bashkëshortëve Flutura e Bashkim Basha, ky i fundit është në spital në gjendje të rëndë.

Ka spekullime në rrjetet sociale se personi me kostumin e zi mund të jetë i shumëkërkuari Ibrahim Lici. Por ky version u rrëzua për Zoom.al nga disa burime të policisë. Zoom.al mëson se apo kërkohet nga policia, por as blutë e Shkodrës nuk kanë mundur ta identifikojnë. /Zoom.al