zoom

Aktualitet

Reagon policia/ Ja si ndodhi atentati ndaj Licit e Bushatit në Shkodër

Policia e Shkodrës dha detaje pas atentatit mafioz që u regjistrua pasditen e kësaj të mërkure në Dobraç.

Sipas policisë, viktimë nga të shtënat mbetën dy persona, ndonëse fillimisht u fol për 4 të vrarë.

Persona të paidentifikuar kanë qëlluar drejt automjetit të Hamza Licit, ku ndodhej edhe Arlind Bushati, djali i demokratit Xhemal Bushati.

Pas të shtënave, Hamza Lici ka humbur kontrollin e makinës dhe ka shkaktuar aksident, duke përplasur një çift bashkëshortës që udhëtonin me motor. Për pasojë njëri prej tyre ndërroi jetë.

Reagimi i plotë i policisë:

Rreth orës 15:50, në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, në Dobraç, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti tip Benz, në lëvizje, me të cilin qarkullonin shtetasit H. L. dhe A. B.

Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën shtetasi H. L., dhe është plagosur rëndë shtetasi A. B.

Automjeti që udhëtonin shtetasit H.L dhe A.B, ka humbur kontrollin dhe për pasojë ka përplasur një motoçikletë që udhëtonte shtetasi B.B dhe bashkëshortja e tij shtetasja F.B, ku si pasojë e përplasjes së automjetit me motomjetin ka ndërruar jetë shtetasja F.B dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spital shtetasi B.B

Në vendngjarje kanë shkuar shërbime të shumta të Policisë dhe Forca Kombëtare e Sigurisë Njësia Shkodër, si dhe janë nisur në ndihmë 2 grupe të Repartit Special “RENEA”.

Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Po në ndihmë të grupit hetimor është nisur dhe Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale me një grup specialistësh të Drejtorisë për Hetimin e rimeve të Rënda

Ndërkohë, shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijojnë kontrollet në terren dhe në ambiente të ndryshme, si dhe kanë ngritur pika kontrolli, për të bërë të mundur kapjen e autorëve.