Aplikacion
Në sistemet kriminale të Policisë së Shtetit, grupet kriminale në Durrës, konsiderohen si mjaft të rrezikshme dhe me kontroll në kanalin e trafikut të drogës.
Por kryesisht ato grupe që kanë drejtuar trafikun e heroinës nga Turqia për në Itali dhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian, janë raportuar për lidhje të forta politike.
Herë pas here, në tri dekadat e fundit është raportuar për lidhje miqësore midis disa eksponentëve të qeverisë së majtë dhe të djathtë me bandat e Durrësit dhe të Shijakut.
Nga të dhënat e ekspertëve nënvizohet fakti se grupet kriminale, sidomos ato afatgjata, kanë pasur një marrëdhënie të qëndrueshme me segmente të korruptuar brenda Policisë, sistemit të drejtësisë dhe politikës. Është pikërisht kjo lidhje, e cila u ka dhënë garancinë për t’u zhvilluar, sofistikuar, investuar në biznes.
Forma më e njohur e bashkëpunimit midis grupeve kriminale dhe organizmave shtetërore është korrupsioni, sidomos në sistemin e drejtësisë.
Dhe ky nuk është fenomen vendor, por i përhapur në të gjitha ato rrethe ku krimi i organizuar është problematik. Ndërveprimi i zyrtarëve me krimin është korrupsioni.
Fatjon Softa: Grupet e Shijakut janë ndër grupet më të rrezikshme në vend dhe aktiviteti i tyre është i favorizuar e i lidhur kryesisht me Portin e Durrësit. Sepse është porta më e madhe, jo vetëm për territorin shqiptar, por për të gjithë hapësirën ballkanike. Si të tilla i janë afruar politikës dhe strukturave, sepse një individ, një grup, apo disa grupe, nuk mund të ushtrojnë aktivitet, ose nuk kanë favorizim po themi e shkëmbime interesash me struktura apo me segmente të strukturave të shtetit. Këtu kemi parasysh prokurorët, kemi parasysh gjyqtarët, kemi parasysh punonjësit e Policisë së Shtetit, që në jo pak raste kanë rezultuar të përfshirë. Jo vetëm të përfshirë, por persona aktivë që kanë krijuar kushte për vrasje, apo për aktivitete kriminale. Ishte rasti i një personi, i cili mbante rolin e shefit të krimeve dhe ky nuk është një rol i një punonjësi bazë, por është një rol drejtues dhe si i tillë ka në dorë të gjithë kontigjentin, ka në dorë gjithë informacionin dhe patjetër jo vetëm aq, por e kthen këtë lloj informacioni në shërbim të këtyre grupeve, ku ata duan të kërkojnë jo vetëm kundërshtarët e tyre, eliminimin e tyre, por edhe të hyjnë e të dalin nëpërmjet portit, ku sasia e drogës dhe armëve, Porti i Durrësit ka qenë më i favorizuar. Madje këto grupe të Shijakut, kanë qenë grupe, të cilat kanë kontrolluar edhe tregtinë e kokainës apo të heroinës, ku si pikënisje në një hetim në Itali ka qenë rasti ku u ndalua një ngarkesë me 1.2 tonë drogë dhe destinacioni ishte nga vendet e Amerikës Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian. Dhe qendra e tyre të komandimit dhe të drejtimit ka qenë zona e Shijakut dhe e Maminasit.
E ajo çfarë është reportuar dhe supozuar ndër vite, doli në skenë edhe mbrëmjen e 20 tetorit 2024, kur u vu në pranga ish-deputeti socialist, Jurgis Çyrbja. Akuzat që SPAK ka ngritur ndaj tij janë të rënda, por duket se gjithçka rrotullohet në Shijak, që është edhe vendlindja e tij. Vend ku të paktën prej dy dekadash, ka vepruar i pashqetësuar grupi kriminal që drejtohej nga Altin Hajri, një personazh që drejtësia italiane në vitin 2015 kur e shpalli në kërkim, e konsideronte mendjemprehtë, karizmatik dhe në të njëjtën kohë të ‘padukshëm’.
I padukshëm për faktin se ai nuk ishte përballur asnjëherë me drejtësinë dhe kjo shpjegon edhe rëndësinë e grupit të tij.
Kur Jurgis Çyrbja u thirr për herë të parë në SPAK, më 10 tetor 2024 dhe mbante ende mandatin e deputetit të Partisë Socialiste, shprehej se nuk e kishte idenë se për çfarë e kishin thirrur. Me siguri në dalje ka qenë në dijeni, por nuk tha asgjë.
Aq sa të nesërmen, ai i dorëzoi Kuvendit shkresën për lënien e mandatit. Vendim që e justifikoi me “nevojën për t’u kujdesur për shëndetin”.
Nga momenti i dorëzimit të mandatit të deputetit, Prokurorisë së Posaçme iu deshën vetëm 10 ditë që të firmoste urdhër arrestin për Çyrben, me 4 akuza: Tregtim i sekretit shtetëror, tregtim të sekretit shtetëror në bashkëpunim, përkrahje e autorit të krimit dhe korrupsion aktiv në zgjedhje.
Çyrbja u zgjodh për herë të parë si deputet i Partisë Socialiste në vitin 2017 në qarkun e Durrësit. Ai ka mbaruar studimet në vitin 2010 dhe është emëruar drejtor i Hipotekës së Durrësit në vitin 2013.
Sot, emri Jurgis Çyrbes del në biseda të zhvilluara në aplikacionin SKY. Mbrëmjen e 20 tetorit 2024, Çyrbja, u arrestua me urdhër të SPAK dhe një nga arsyet janë edhe dyshimet se ka strehuar Altin Hajrin, kur ai ishte në kërkim për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.
Hajri është shpallur në kërkim pas lëshimit të një urdhër arresti të SPAK në lidhje me dosjen e fundit, e cila vijon të jetë në hetim. Ish-deputeti socialist akuzohet edhe për tregtim të sekretit shtetëror.
Fatjon Softa: Kur themi sekret shtetëror, kemi të bëjmë me disa informacione, të cilat janë të karakterit shtetëror. Nuk them sekrete apo informacione të marra për Policinë e Shtetit, që themi dekonspirojnë ose jo informacione, po flasim për sekret shtetëror. Sekret shtetëror duhet të dimë për ta klasifikuar në çfarë niveli dhe kujt i vlen. Për çfarë i vlen grupeve kriminale një sekret shtetëror. Nëse themi për një informacion policor, do të thotë që ata i japin informacion për arrestime, kush do të jetë në listë, veprimet që kanë, deri ku janë hetimet, çfarë veprimesh ka, kush janë bashkëpunëtorë, kush janë në terren, pra kujt duhet t’i shmangen, etj., ose duhet t’i krijojnë një lloj mbrojtjeje. Nuk flasim për sekret shtetëror. Sekret shtetëror është pastaj është diçka e rëndë dhe nuk e di çfarë ata klasifikojnë për sekret shtetëror. Sekreti shtetëror mund t’i vlejë jo vetëm grupeve kriminale, por edhe grupeve terroriste. Mund t’i vlejë edhe shërbimeve të huaja. Nuk e di ku e kanë fjalën klasifikim të një sekreti shtetëror. Këtë quaj sekret shtetëror. Kur i vlen më shumë sesa grupeve kriminale, ose kur grupet kriminale janë të lidhura edhe me shërbime apo grupe të tjera jashtë territorit. Dhe mund t’i vlejë, po themi jo vetëm grupeve, por edhe personave të lidhur me këto grupe kriminale.
Mëngjesin e datës 22 tetor 2024, pasi gjyqtari i masave të sigurimit vendosi “arrest me burg”, Jurgis Çyrbja është transportuar nga Blloku i Sigurisë, drejt Burgut të Durrësit.
SPAK e akuzon atë për 4 vepra penale, përkrahje e autorit të krimit, korrupsion në zgjedhje, tregtim i sekretit shtetërore dhe tregtim të sekretit shtetëror në bashkëpunim me të arrestuarin tjetër, Ahmet Masha.
Çyrbja u paraqit në Gjykatë në orën 8:30, që ishte vendosur nisja e seancës gjyqësore që u mbajt me dyer të mbyllura.
Në nisje të seancës ku ishte i pranishëm prokurori i çështjes Andan Xholi dhe avokatët e dy të akuzuarve, këta të fundit kërkuan kohë që të njiheshin me fashikujt e dosjes.
Seanca rinisi pas gati një ore, kur avokatët u njohën me materialet hetimore. Dy të akuzuarit, Çyrbja dhe Masha kanë dhënë vetëm gjenaralitetet para gjykatës, ndërsa avokatët e tyre kanë mohuar që klientët e tyre të kenë përdorur SKY.
Por nga ana tjetër ky pretendim u kundërshtua nga prokurori, i cili renditi provat e dokumentuara nga ky hetim, që mori shkas nga hetimi që po kryhet për një tjetër dosje, me numrin 92, të një grupi që ka si aktivitet trafikun e lëndëve narkotike.
Nga ky hetim u gjurmuan shumë përdorues të SKY, kodet e të cilëve u dërguar drejt autoriteteve franceze për t’u identifikuar.
Mes personazheve që u identifikuan në këtë proces ishte edhe ish-deputeti Socialist Jurgis Çyrbja, i cili në fakt mohon të jetë përdorues i SKY.
Altin Hajri doli në skenë në vitin 2015, nga një operacion ndërkombëtar droge që udhëhiqej nga Italia. Udhëheqësit e grupit, siç i quante në atë Policia italiane, Altin Hajrin dhe vëllain i tij Emiljanin, arritën në Padova gati 20 vjet më parë, si emigrantë të paligjshëm, duke hyrë shpejt në dinamikën e trafikut të drogës.
Ata mësuan shumë shpejt se si të trajtojnë trafikun, duke qenë në gjendje të trafikojnë edhe një ton heroinë brenda një viti. Pas disa vitesh qëndrimi në Itali, të dy vëllezërit kanë lëvizur në Shqipëri dhe nga atje vazhduan të drejtojë operacionet, larg nga punëtorët dhe sidomos nga hetuesit.
Hajri u shpall në kërkim ndërkombëtar pas një operacioni të policisë italiane më 28 tetor 2015 që synonte të shpërbënte të gjithë grupin Hajri dhe rrjetin e tij në Itali. Pavarësisht se u kap mbi një ton lëndë narkotike, heroinë, kanabis etj.
Altin Hajri koka drejtuese e grupit nuk u arrestua. I vetmi rast kur ai është vënë në pranga vetëm për pak orë, ka qenë në vitin 2017, por u lirua shumë shpejt dhe arsyet e lirimit të tij mbetën të paqarta.
Ashtu sikurse pasuria e tij në Shijak, që ishte sekuestruar nga OFL dhe më pas iu rikthye me arsyetimin se ishte ndërtuar me të ardhura të ligjshme.
Grupi kriminal i Altin Hajrit
Më 28 tetor të vitit 2015, u finalizua një operacion ndërkombëtar i Drejtorisë së Antidrogës shqiptare dhe asaj italiane, në bashkëpunim me Guardia di Finanza. Në pranga u vunë 16 persona. Operacioni i koduar “Enigma”, i koordinuar njëkohësisht në dy shtete, u realizua në zbatim të 21 urdhrave të arrestit të lëshuar nga Gjykata e Venecias, pas 5 vitesh hetimi intensiv.
Bilanci i këtij aksioni fliste për mbi 500 kilogramë drogë të sekuestruar, nga të cilat 206 kg heroinë, si dhe 10 milionë euro pasuri të sekuestruara, që dyshohej të ishin ndërtuar me të ardhura nga kjo veprimtari kriminale. Policia italiane e konsideronte këtë operacion shumë të suksesshëm, duke u nisur edhe nga hetimet intensive që ishin kryer për zbulimin e grupit, pasi organizimi i shqiptarëve të përfshirë në trafik ishte i një mënyrë mjaft të sofistikuar.
Ndërsa hetuesit kishin përllogaritur se ky grup, trafikonte mbi 1 ton heroinë në Itali brenda vitit. Grupi drejtohej nga dy vëllezër nga Shijaku, Altin e Emiljan Hajri, që u shpallën në kërkim bashkë me kushëririn e tyre, Fortuz Hajrin dhe dy të tjerë, Astrit Muçën e Shahin Carën, që dyshohej se fshiheshin në Shqipëri, por nuk u arrit të arrestoheshin.
Nga ana e Antidrogës së Tiranës u arrestuan dy anëtarë të kësaj organizate, Gentian Meçollari e Klevis Sena, ndërsa në Itali u prangosën 14 të tjerë.
E megjithëse bashkëpunimi i radhës në luftën kundër drogës mes Policisë italiane e asaj shqiptarë, u konsiderua si një supeoperacion dhe një sukses i madh, “Enigma” pati edhe një anë të errët.
Pati dyshime të arsyeshme se operacioni për ekzekutimin e 21 urdhër-arresteve të Gjykatës së Venecias, mund të ishte dekonspiruar nga ndonjë punonjës i Policisë shqiptare. Saktësisht, nga ana e ndonjë punonjësi të Policisë së Durrësit. Për këtë arsye, Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave nisi një hetim për rrjedhje informacioni. Hetim ky, për shkak se SHÇBA nuk e shpjegonte ndryshe faktin që asnjë prej 5 personave, emrat e të cilëve i ishin vënë në dispozicion për arrestim Antidrogës së Policisë së Durrësit, nuk u arrit të ndalohej. Nga 7 emra që pala italiane i kishte dorëzuar Drejtorisë së Policisë së Shtetit, vetëm 2 u arrestuan, ndërsa të tjerët u shpallën në kërkim, me arsyetimin se nuk u gjetën në adresat e caktuara.
Në një kohë që Antidroga e Tiranës arriti të gjente dhe të arrestonte dy personat për të cilët ishte autorizuar, në Shijak e Durrës nuk pati asnjë arrestim. Madje edhe të dhënat e sakta për vendndodhjen e mundshme të kreut të grupit të organizuar të trafikut të drogës, Altin Hajri, rezultuan një dështim, pasi ai nuk u gjet në asnjë vend që shihej si objekt i mundshëm strehimi. Zyrtarisht, nga sistemi Tims dhe shënimet e mbajtura në pikat kufitare, Hajri, në atë kohë 31 vjeç rezultonte të ishte në Shqipëri.
Sipas të dhënave hetimore të Policisë italiane, vëllezërit Altin e Emiljan Hajri, drejtonin prej të paktën 5 vitesh trafikun e heroinës Turqi – Shqipëri – Itali, të paktën, deri në vitin 2015 që u zhvillua operacioni.
Por nga provat e siguruara nga hetuesit, para vitit 2015 ata ishin larguar nga Italia dhe drejtonin anëtarët e tjerë të grupit me anë të kodeve të ndryshme, por nga Shqipëria, saktësisht nga Shijaku, ku edhe banonin. Për hetuesit ishte mjaft i dyshimtë edhe fakti që vëllai më i vogël, Emiljani, kishte udhëtuar drejt Italisë një muaj para se të zhvillohej ky operacion.
Emri i tij ishte regjistruar në sistemin Tims në Aeroportin e Rinasit, më datë 28 shtator 2015 dhe destinacioni i tij kishte qenë Italia. Por në sistem nuk kishte më datë hyrje të tij në Shqipëri. Megjithatë, kjo e dhënë u zbulua pas kryerjes së operacionit, pasi deri pak ditë para nisjes së ekzekutimit të urdhër arresteve, Emiljani dyshohej se ndodhej në Shqipëri, bashkë me të vëllain, Altinin, kushëririn e tij Fortuz Hajri dhe dy personat e tjerë, Astrit Muça e Shahin Cara.
Drejtuesit e operacionit ndërkombëtar që u zhvillua në Itali e Shqipëri thanë se, hetimet teknike kishin treguar një cilësi të veçantë të grupit kriminal. Ky grup përdorte për komunikimin në distancë një kod alfanumerik, periodikisht i rinovuar.
Që këtu rrjedh emri “Enigma” për operacionin që i referohet kodeve që përdoreshin nga forcat e armatosura gjermane gjatë luftës së dytë botërore. Kodet e ushtrisë gjermane u bënë të njohura në nga viti 1939, ndërsa në vitin 1940 matematicieni suedez, Arne Beurling theu kodin gjerman që përdorej për komunikimet strategjike ushtarake. Kjo arritje e tij konsiderohet nga shumëkush si një prej arritjeve më të mëdha në historinë e kriptografisë. Duke përdorur vetëm shirita teleprinteri dhe tekste të koduar, ai arriti të deshifrojë kodin që gjermanët besonin se ishte i pamundur të zbërthehej.
Beurling krijoi më pas një pajisje e cila i mundësoi Suedisë që të deshifronte trafikun gjerman të teleprinterit që kalonte me anë të kabullit nga Norvegjia, përmes Suedisë. Deshifrimi i kodeve u mundësoi autoriteteve suedeze që të siguronin njohuri në lidhje me Operacionin Barbarosa (emri i koduar që nazistët përdorën për pushtimin e Bashkimit Sovjetik) që përpara se të ndodhte.
Dy vëllezërit Hajri nga Shijaku drejtonin trafikun e heroinës që nga vendi ku sigurohej në Afganistan, duke u blerë më pas në Turqi e kaluar transit në Shqipëri me destinacion final Italinë. Sipas Policisë Italiane, vëllezërit shqiptarë, kanë drejtuar grupin në një mënyrë të ngjashme me ato të organizatave mafioze, me qeliza të ndryshme, ku të gjithë e dinin se çfarë duhej të bënin, por vetë drejtuesit, kryesisht vëllai i madh, Altini, nuk kishte asnjë kontakt me pjesën tjetër të rrjetit.
Jo vetëm për shkak të mënyrës që ka pasur sistem i komunikimit, që ripërtërihej nga koha në kohë, por edhe nga mënyra se si funksiononte organizata. Në rast se njëra qelizë zbulohej, atëherë tjetra vazhdonte punën, pa rënë në gjurmët e Policisë. Historia e organizatës ishte e lidhur ngushtë me të shkuarën e dy vëllezërve Hajri, të cilët duke u larguar nga realiteti i vështirë para më shumë se 20 vitesh, emigruan drejt Italisë, duke përzgjedhur terrenin ku do të ushtronin aktivitetin kriminal, por edhe njerëzit e tyre të besuar. Shumë prej anëtarëve të grupit nuk e kishin parë asnjëherë Altini Hajtin, madje nuk i kishin dëgjuar as zërin, pasi gjithçka ishte e koduar.
Policia Italiane kishte zbuluar se vendi i origjinës së heroinës që trafikohej drejt Italisë, ishte Afganistani. Por asnjë prej anëtarëve të grupit nuk shkonte vetë atje, pasi çmimi ishte i arsyeshëm edhe në Turqi. Droga blihej në Turqi me 5 mijë euro për kg, duke sjellë një fitim gati 10-fish, pasi merrej parasysh se vlera e shitjes me pakicë ishte 40 mijë euro për kg. Të gjitha paratë që përfitoheshin nga kjo veprimtari, transferoheshin në Shqipëri duke u investuar në sasi të tjera heroine apo pasuri të patundshme. Policia shqiptare shprehej në vitin 2015 se lekët e përfituara nga ky aktivitet kriminal, i silleshin drejtuesve në Shqipëri përmes korrierëve në bordin e autoveturave të pajisura me një fund të dyfishtë ose nëpërmjet rrugëve ajrore dhe kaloheshin në doganë të padeklaruara. Paratë ishin investuar në pasuri që po ashtu u sekuestruan, një vilë 3-katëshe, 450 metra katror në Shijak dhe një ndërtesë prej më shumë se 10 mijë metra katrorë Durrës, i kompletuar me hotele dhe salla të tjera turistike. Vlera e këtyre pronave në atë kohë ishte përllogaritur deri në 10 milionë euro.
Organizata kriminale ndërtohej nga një qelizë shpërndarje dhe dorëzimi të lëndës narkotike me bazë në Trento dhe një qelizë e dytë logjistike në Trento e ngarkuar për mbledhjen e parave në dorë dhe të transferimit të tyre në Shqipëri nëpërmjet korrierëve. Gjithashtu ekzistonte edhe një grup i ngarkuar për pritjen, përpunimin dhe shpërndarjen e ngarkesave të heroinës që ndodhej në Roverkiara dhe një strukturë kriminale që ndodhej në Padova, e cila kishte si detyrë lidhjen ndërmjet trafikantëve të zonës dhe krerëve të organizatës, që gjithashtu merrej dhe me shpërndarjen e lëndës narkotike dhe me mbledhjen e parave. Mirëpo 8 muaj më vonë, në 2016-ën, autoritetet italiane pushuan hetimin ndaj tij, duke hequr emrin e tij nga listat e të kërkuarve.
Rrëmbimi dhe vrasja e Jan Prengës
E ndonëse ishte një personazh i përfolur dhe mjaft i rëndësishëm i botës së krimit, Altin Hajrit vijoi veprimtarinë e tij derisa emri i tij doli sërish në skenë në janar të vitit 2020, kur Policia njoftoi zyrtarisht se në resortin e tij në Shijak, ishte mbajtur peng Jan Prenga dhe më pas nga aty kishte humbur çdo gjurmë e tij.
Policia shpjegonte se ky rrëmbim kishte ardhur si pasojë e një konflikti që një nga vëllezërit e viktimës kishte pasur me organizatoret dhe rrëmbyesit, si pasojë e disa konflikteve kriminale në Britaninë e Madhe. Konflikti në fjalë, kishte të bënte me ngarkesën e madhe të drogës. Konkretisht 260 kg kokainë, që një nga vëllezërit e Jan Prengës në Angli, nuk e ka dorëzuar tek pritësit, por e ka përvetësuar bashkë me 3 persona të tjerë.
Një ditë janari, të vitit 2020, Ndrek Prenga mori një telefonatë të pazakonte. Në fakt edhe vetë kushtet kur u krye telefonata ishin të pazakonta. Ndreka ndodhej në një burg në Mbretërinë e Bashkuar, ku po vuante një dënim prej 8 vitesh heqje lirie. Po ashtu, edhe personi që e telefononte ndodhej në burg. Por, në një burg rreth 6000 kilometra larg, në anën tjetër të globit. Në Ekuador. Personi që i telefononte, ndodhej në një prej burgjeve të Guajakilit dhe quhej Dritan Rexhepi, i dënuar atje me 13 vjet burg, po për drogë. Të dy po komunikonim me celularë të futur fshehurazi në qeli.
Rexhepi, shefi i organizatës kriminale “Kompania Bello”, kishte një kërkesë të prerë dhe drejtpërdrejtë. I kërkonte Ndrekës kthimin e menjëhershëm të kokainës me vlerë disa milionë paund, që një nga vëllezërit e tij e kishte “vjedhur” pasi ishte trafikuar në Mbretërinë e Bashkuar në fillim të janarit.
Ai i tha Ndrek Prengës së vëllai i tij sapo ishte rrëmbyer në një prej rrugëve të Shqipërisë dhe do të lirohej vetëm pasi të kthehej kokaina. Pengu kishte një mobileri në Kamzë dhe bënte një jetë të qetë. Ai nuk kishte marrë pjesë në asnjë moment në aktivitetet kriminale të vëllezërve të tij në Britaninë e Madhe. Por po paguante për hesapet e vëllezërve të vet.
Ndonëse ishte i pafajshëm, biznesi është biznes. Dhe kur në mes është kokaina, biznesi ka pasoja të rënda.
Ashtu si shumë nga bashkatdhetarë të tyre, pesë vëllezërit Prenga u larguan nga Shqipëria në fund të viteve 1990. Më i madhi, Jani, emigroi me gruan e tij Maria në Greqi, por më vonë u kthye në Tiranë ku hapi një biznes mobilerish. Çifti kishte tre fëmijë.
Katër vëllezërit e tjerë të tij u nisën për në Mbretërinë e Bashkuar, ku morën edhe nënshtetësinë britanike. Anton Prenga u fut në biznes të ligjshëm atje, ashtu si edhe vëllai tjetër, Leka, që nuk pati asnjë rol në historinë e pengmarrjes. Por dy nga vëllezërit, Ndreka dhe Astriti u përfshinë në rrjete kriminale të drogës.
Personazhi më i rëndësishëm, por edhe i rrezikshëm në të njëjtën kohë, që Ndrek Prenga njohu në botën e krimit, ishte Dritan Rexhepi, që në fakt ai e njihte me emrin Gramoz. Të dy ata kishin kaluar pak kohë bashkë në një paraburgim në Itali.
Në vitin 2013 fotografia e Dritan Rexhepit renditej e para në listën e më të kërkuarve të Scotland Yard, kur besohej se fshihej në Mbretërinë e Bashkuar. Po atë vit ai u dënua në mungesë, në Shqipëri për vrasjen e një oficeri policie dhe një personi tjetër. Por në atë kohë, Rexhepi në fakt ishte larguar drejt Amerikës së Jugut, në rrugën e tij për t’u bërë lideri i padiskutueshëm i “Kompania Bello”, të cilën e ktheu në një nga kartelet më të rëndësishëm dhe inovative të drogës që vepronte në Europë.
Kjo organizatë përbëhej nga 14 grupe kriminale shqiptare. Rexhepi mbikëqyrte “operacionet” e kokainës nga Ekuadori. Madje edhe kur u arrestua në Kuito në vitin 2014, ai e zhvilloi edhe më shumë perandorinë e tij të drogës nga qelia, duke negociuar me kolumbianët dhe duke dërguar çdo vit tonelata kokainë në Europë. Rexhepi kishte një celular brenda në burg të lidhur me rrjetin e koduar Encrochat, i përdorur shumë nga kriminelët derisa u zbulua nga një hetim i policisë franko-holandeze. Ka qenë ndoshta i njëjti telefon që Rexhepi ka komunikuar me vëllain e Jan Prengës.
Vëllai i Jan Prengës, Ndrek Prenga, ja dëshmuar në Gjykatën e Posaçme më 18 tetor 2024, në procesin që po mbahet për rrëmbimin dhe vrasjen e vëllait të tij, në janar të vitit 2020. Ai ka treguar se në vitin 2020 ka qenë në burg në Londër dhe se çdo ditë kishte kontakte me familjarët, gruan dhe fëmijët, me të cilët komunikonte përmes telefonit. Ai ka dëshmuar në gjykatë se me vëllain e tij ka folur rreth një javë përpara se të ndodhte ngjarja. Ka qenë një tjetër i dënuar në burgun ku ai vuante dënimin qe i ka futur në dhomë një telefon, me anë të të cilit e ka telefonuar një person me prefiks të huaj, duke iu prezantuar si Gentian Funiqi, ose Doçi. Sipas Prengës, Funiqi është prezantuar në telefon si një person me origjinë nga Dukagjini i Shkodrës, duke i thënë që: “Ma jep gjënë”. Prenga thotë që i referohej një sasie prej 260 kilogramë kokainë. Gjatë dëshmisë ai shtoi se Gentiani i kishte thënë se ka te tentuar të komunikojë edhe me vëllain Astritin, por nuk ka arritur. Pas këtij momenti Ndrek Prenga i është përgjigjur se nuk ishte në dijeni se për çfarë bëhet fjalë.
Ndreka sqaron se ka marrë në telefon Astritin, por edhe ky i fundit i është përgjigjur se nuk kishte dijeni se çfarë kishte ndodhur. Pas një apo dy ditësh është njoftuar nga bashkëshortja se Jani Prenga është marrë peng dhe se pas kësaj, është përpjekur të merrte vesh se çfarë ka ndodhur. Pas pak ditësh ai është vënë në dijeni se bëhet fjalë për një sasi prej 260 kg kokainë që ishin marrë në port, dhe gjatë komunikimeve që Ndrek Prenga kishte me Gentianin, ky i fundit i thotë që të dorëzojë atë “gjënë” duke iu referuar sasisë së kokainës me qëllim për të liruar pengun. Prenga thotë se xhaxhai i tij dhe një person tjetër kanë shkuar në Shkodër për të takuar familjarët e Gentian Doçit ku atje kanë gjetur babin e tij. Ky i fundit i është përgjigjur se nuk ka dijeni dhe përgjegjësi se çfarë bën djali i tij. Prenga ka sqaruar në gjykatë se pas ndërprerjes së mesazheve me Gentianin, i ka shkruar një tjetër person duke iu prezantuar si Gramoz ku edhe ai pretendohet se kokainën e marrë nga Astrit Prenga është e tija. Sipas dëshmisë së gjatë të Ndrek Prengës, pasi policia ka ndërhyrë në kompleksin Goldën Resort në Shijak, nga ai moment ai ka ndërprerë komunikimet me të gjithë personat që kishte folur.
Zanafilla e ngjarjeve që çuan në rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës, ndonëse ende nuk është gjetur trupi i tij, filloi në shtator të vitit 2019, në portin ekuadorian të Guajakil, kur një anije mallrash që transportonte banane u nis për në Mbretërinë e Bashkuar. Përveç frutave, në një prej kontejnerëve ishin futur edhe 260 kg kokainë, me vlerë 15-20 milionë paund. Anija u ankorua në Portsmouth, Hampshire në fund të dhjetorit të po atij viti.
Sipas dosjes së Prokurorisë Astrit Prenga, Gëzim Shullani, një shtetas rumun dhe një shtetas shqiptar që quhet Xhulian u punësuan nga ndërmjetës me origjinë britanike dhe iraniane për të marrë drogën nga porti, për llogari të dy bandave kriminale me bazë në Shqipëri. Ata e realizuan me sukses tërheqjen e kokainës nga kontejneri në port në fillim të muajit janar të vitit 2020. Por më pas e ndërruan planin, që më vonë rezultoi me pasoja fatale.
Korrierët dhe ndërmjetësit dyshohet se kishin një konflikt për një pagesë të mëparshme. Megjithatë duket se në rastin e fundit thjeshtë u joshën në momentin që hapën kontejnerin. Por pavarësisht motiveve, përfundimi ishte ky: Astrit Prenga, bashkë me Gëzim Shullani, një shtetas rumun dhe një shtetas shqiptar që quhet Xhulian, vendosën të mbanin kokainën dhe ta ndanin me njëri-tjetrin. Sipas të dhënave në dosjen e Prokurorisë ka dyshime se në atë moment ata nuk ishin në dijeni të faktit se ngarkesa që kishin vjedhur ishte e lidhur me Dritan Rexhepin.
Një javë pasi kishin marrë kokainën, ata janë telefonuar nga Gentian Doçi, i cili i kërkonte kthimin e kokainës. Pas tri ditësh i telefonoi përsëri duke i paralajmëruar që të mos bënin gabim pasi droga ishte e tij dhe duhej kthyer. E pas Gentian Doçit, ishte radha që Dritan Rexhepi të bënte lëvizjen e tij, duke telefonuar Ndrek Prengën që ndodhej në burg në Mbretërinë e Bashkuar.
Mëngjesin e 17 janarit të vitit 2020, Jan Prenga, 49 vjeç, ka pirë kafe me gruan e tij dhe më pas është ndarë prej saj që të merrej me disa punë që kishte lënë pa përfunduar. Është nisur drejt rrugës “London”, në Kamzë. Katër persona të maskuar, i prenë rrugën dhe pasi e goditën disa herë, e futën me forcë në një makinë “Range Rover”, të bardhë, që e kishin vjedhur për ketë qëllim. Si provë e pengmarrjes mbetën vetëm disa njolla gjaku në asfalt. Dëshmitarët lajmëruan Policinë e më pas u njoftua edhe bashkëshortja e Jan Prengës.
Në një njoftim paraprak që shpërndau ditën e ngjarjes, Policia e Tiranës dyshonte se pengmarrja mund të kishte ndodhur pas një konflikti të çastit mes autorëve dhe të dëmtuarit.
Ndonëse ndodhej i izoluar në burg, Ndrek Prenga ishte i pari që merrte informacionet në lidhje me vëllain e tij që ishte marrë peng. Ai kontaktohej drejtpërdrejt nga Dritan Rexhepi, që sipas Prokurorisë ishte një nga porositësit e pengmarrjes. Në një prej këtyre telefonatave, nga burgu në Ekuador, Dritan Rexhepi i kishte dhënë fjalën Ndrekës se i vëllai do të lirohej nëse Astriti do të kthente kokainën.
E me gjithë premtimin e dhënë nga kontinenti i largët, duket se pengmarrja kishte marrë fund në mënyrë tragjike. Sipas deklaratës që Anton Prenga ka dhënë në Polici, pas mbërritjes në Shqipëri, ka treguar se më 22 janar 2020, i vëllai, Astriti dhe bashkëpunëtori i tij shqiptar u kishin dorëzuan ndërmjetësuesve polakë të dërguar nga karteli i drogës, 106 kg kokainë. Gjithashtu kishin paguar edhe 700 mijë paund, si kompensim për drogën që kishin shitur. Po atë ditë Dritan Rexhepi telefonoi sërish nga Ekuadori për t’u thënë vëllezërve Prenga se Jani do të lirohej brenda dy orësh. Por nuk po ndodhte asnjë lëvizje. Rexhepi i siguronte se Jani ishte shëndosh e mirë dhe do të lirohej. Por përsëri nuk kishte asnjë shenjë. Përfundimisht Dritan Rexhepi i telefonoi sërish Ndrek Prengës dhe i tha se personat që kishin marrë peng Janin, nuk e kishin mbajtur fjalën dhe si besë, ai u detyrua t’i jepte familjes Prenga emrat e rrëmbyesve, që ata të bënin me ta çfarë të dëshironin. Dhe kështu bëri.
Kur kishin kaluar 11 ditë nga rrëmbimi i 48-vjeçarin Jan Prenga në Kamzë, shpresat për lirimin dhe kthimin e tij pranë familjes u shuan më 28 janar 2020, me një deklaratë zyrtare të Policisë së Shtetit.
Policia arrestoi atë ditë 4 persona, që veç të tjerave i akuzonte edhe për “Fshehje ose asgjësim të kufomës”. Gjatë operacionit të koduar “Resorti”, nisur nga të dhënat hetimore se pengu ishte dërguar nga Kamza në resortin e familjes Hajri në Shijak, nuk u arrit të gjendej asnjë gjurmë e Jan Prengës. Megjithatë, u tha se përmes hetimeve të thelluara, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes.
Policia kishte arritur që nëpërmjet pamjeve të kamerave të sigurisë dhe provave të tjera, të gjurmonte udhëtimin e “Range Rover”-it të bardhë nga rruga “London”, në Kamzë, në parkingun nëntokësor të “Golden Resort”, në Shijak. Pamjet e kamerave të parkingut treguan një çantë të madhe të zezë duke u transferuar nga makina e vjedhur në një furgon. Disa persona shquheshin duke ngarkuar lopata dhe kazma dhe duke fshirë gjurmët e gjakut nga vendi i ngjarjes. Furgoni më pas u nis në një vend të panjohur që nuk u zbulua kurrë. Ndërsa “Range Rover” më vonë u gjet i djegur. Grupi hetimor beson se çanta e zezë përmbante trupin e fatkeqit Jan Prenga dhe se ai ishte plagosur e më pas kishte vdekur. Për ngjarjen u arrestuan disa persona e të tjerë u shpallën në kërkim.
Vetëm dy nga shumë persona të akuzuar për organizimin, rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës janë dënuar nga Gjykata e Posaçme, me një vendim të datës 29 shtator 2022. Është dënuar me burgim të përjetshëm i vetmin autor i akuzuar për vrasjes dhe zhdukjen e kufomës, kopshtari i resortit, Festim Bexhdili. Togat e zeza kanë arritur në përfundimin se Bexhdili ka dijeni për vendodhjen e kufomën, por nuk tregon. Nga ana tjetër, i akuzuari si bashkëpunëtor, Olsi Turja, u dënua me 3 vjet heqje lirie. Krimi u provua nga kamerat e sigurisë të resortit “Golden”, ku në 6 orë, janë vënë re hyrje-dalje të makinave të dyshimta, nxjerrja e sendeve që akuza pretendon se janë armët e krimit, lopata e kazma si dhe në fund një qese e madhe e zezë, brenda së cilës dyshohet se ishte futur trupi i viktimës.
Një ditë pas krimit, Festim Bexhdili dhe bashkautori Olsi Turja, janë riparë në garazhin e kompleksit duke pastruar gjurmët e gjakut. Mostrat e ADN të marra në vendi e ngjarjes përputhen me nënën e viktimës.
Mes gjithë atyre personave që u akuzuan, pasi u panë në kamerat e resortit, rrethi u ngushtua vetëm në dy emra. Por për persona të tjerë, mes të cilëve edhe porositësit, Dritan Rexhepi dhe Gentian Doçaj, dosja është veçuar, ashtu sikurse edhe për Altin Hajrin.
Pas afro një viti pezullim, vetëm pak kohë më parë, Gjykata e Posaçme kaloi për gjykim çështjen penale ndaj të pandehurve: Dritan Rexhepi, tashmë i arrestuar në Turqi, Gentian Funiqi (Doçaj), i arrestuar në Spanjë, Geraldo Martini, Aldo Majnishta, Martin Bleta, Korado Gështenja e Artan Doçaj, të akuzuar si grup i strukturuar kriminal, për rrëmbimin e Jan Prengës. Më 10 shtator 2024 kaloi për gjykim edhe çështja në ngarkim të Altin Hajrit, për të njëjtat akuza, pasi ishte i pezulluar deri në njoftimin dhe kapjen e tij.
Pasuritë që iu sekuestruan dhe iu kthyen
Pasuritë e Altin Hajrit në Shijak, që arrinin në vlerën e 10 milionë eurove, u sekuestruan në vitin 2015, pas operacionit ndërkombëtar të koduar “Enigma”. Mes këtyre pasurive ishte edhe kompleksi “Golden Resort”, ku u mbajt peng Jan Prenga. Por këto prona qëndruan shumë pak nën sekuestro. Në arsyetimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda pasi ka nisur procedimi në 2015 thuhet: Nuk arrihet të provohet se ngritja e këtij biznesi ka ardhur nga veprimtari kriminale.
Edhe më 3 shkurt 2020, po thuajse të njëjtat prona që ishin liruar më parë, u sekuestruan sërish. Pas miratimit të paketës ‘Anti-KÇK’, Operacioni Forca e Ligjit nisën një aksion në Shijak, për të sekuestruar pasuritë e familjes Hajri. OFL vendosi sekuestron e parë mbi objektin Kompleksi i Shërbimeve Vila Golden dhe mbi një karburant të dhënë me qira një shoqërie për tregtimin e hidrokarbureve që ndodhet në kryqëzimin Pjesë-Xhafzotaj-Shijak, pronë e shtetasit Altin Bajram Hajri.
Policia arsyetonte se sekestro vinte pasi Hajri ishte dënuar me burg nga autoritetet italiane të drejtësisë me urdhër-arrestin e datës 18.08. 2015 për veprën penale trafikim i lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim. Policia u kishte çuar familjes Hajri formular për të justifikuar pasurinë, pasi dyshohet se ajo është ngritur nga veprimtari kriminale.
Por e njëjta gjë ndodhi sërish. Më 1 tetor 2021 Gjykata ia ktheu pronat Altin Hajrit. Apeli i Gjykatës së Posaçne pushoi çështjen për sekuestrimin e kompleksit “Golden” të Altin Hajrit në Shijak. Në vendim thuhej se kompleksi nuk do të sekuestrohet pasi edhe SPAK ka hequr dorë nga ankimimi. Më herët edhe GJKKO kishte hequr dorë nga sekuestrimi i urdhëruar nga OFL pasi e kishte argumentuar të paligjshëm.
Vendimi i Gjykatës
“Me referimin në parashikimin e pikës 1, shkronja b), të nenit 46 të ligjit 98/2016 si dhe, në interesin e treguar nga media, komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, mbi ankimin e Prokurorit të Posaçëm, përkundrejt vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që ka rrëzuar kërkesën për konfiskimin e pasurive të subjektit të aktit normativ Altin Hajri, sot më datë 01.10.2021, kolegji i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vendosi:
– Pushimin e shqyrtimit të çështjes nr. 124 akti, datë 26.04.2021, regjistruar në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar mbi ankimin e Prokurorit të Posaçëm ndaj vendimit nr. 9/80, datë 12.03.2021 të gjykatës së Posaçme të shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për shkak të heqjes dorë nga ankimi”.
Për herë të parë dhe të fundit, Altin Hajri, u arrestua nga grupi i gatshëm dhe forca operacionale të policisë së Durrës më 26 janar të vitit 2017. Hajri sapo kishte shkuar me mjetin e tij, një “Mercedes Benz” luksoz pranë një lavazhi në zonën e Shijakut dhe aty efektivët e Policisë e kanë arrestuar. Fillimisht ai ka bërë rezistencë por më pas është shtrirë përtokë nga Policia. Policia tha në atë kohë se arrestimi i tij ishte kryer për llogari të Italisë. Por vetëm disa orë me vonë ai u lirua. Kishte ndodhur një ngatërresë. Altin Hajri nuk ishte më në kërkim nga Italia, por të dhënat nuk ishin azhornuar.
Kur e shoqja u pyet nga Policia në momentin që Altin Hajri po kërkohej për zhdukjen e Jan Prengës, tha se ndodhej në Shqipëri, por nuk e dinte se ku ishte. Ajo deklaronte se kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer, pasi deri në fund të vitit 2019 kishte qenë për dy vite në burg në Holandë.
Në dosjen e Prokurorisë për pengmarrjen e Jan Prengës thuhet se i është marrë deklarim shtetases V. Hajri, e cila ka deklaruar se:
“Jam e martuar me shtetasin Altin Hajri, në fshatin Pjezë, Shijak. Unë kam 3 fëmijë të mitur që aktualisht i kam në shtëpi. Kur Altini nuk është, unë jetoj vetëm me fëmijët e mi në shtëpinë në Pjezë. Altini ka ardhur në shtëpi më datë 30.12.2019 pasi ka qenë në burg në Holandë prej dy vitesh. Kur ai është kthyer në shtëpi ka biseduar vetëm për fëmijët. Unë nuk i kam numër telefoni Altinit. Ai ka qenë në shtëpi para dy ose tri ditësh dhe kur ka ardhur ka folur vetëm me fëmijët. Me mua ka komunikuar vetëm për fëmijët. Unë nuk e di fare se ku është Altini aktualisht. Unë nuk e di që Altini të ketë automjet. Automjetin ‘Mercedes Benz” e kam unë në përdorim dhe atë ma ka blerë mua Altini prej më shumë se 4 vitesh. Unë nuk e di se në emër të kujt është regjistruar. Për makinën tjetër nuk di ç’të them, pasi nuk e di se kujt i përket dhe kush e ka sjellë aty. Kolpleksin ‘Golden’ une nuk e di se kush e ka, por me menaxhimin e tij merret vjehrra ime. Gjithashtu tek kompleksi ka një menaxher që administron punët që quhet Olsi Turja. Unë nuk ka asnjë dijeni se sa kohë ka Olsi që punon atje. Të ardhurat dhe të mirat materiale që burojnë nga kompleksi ‘Golden’ administrohen dhe merren nga familja e Altinit, vëllezërit dhe prindërit e tij. Gjithashtu një pjesë edhe nga fëmijët e mi. Unë nuk kam numër telefoni. Unë nuk shkoj te kompleksi. Unë di se Altini merret me biznes por se çfarë konkretisht nuk e di, s’kam asnjë dijeni se me cilët persona shoqërohet Altini. Nuk kam vënë re ndonjë problem te Altini”.
E megjithatë, edhe pse në kërkim që prej janarit të vitit 2020, Altin Hajri nuk u gjet kurrë nga Policia, edhe pse të gjitha të dhënat flisnin se ai ndodhej në Shqipëri.
Ashtu sikurse edhe sot që u rishpall në kërkim nga SPAK. Duket se jo më kot Policia Italiane e quante “të padukshëm”.
As ajo nuk arriti kurrë të binte në gjurmët e tij, derisa në 2016-ën u dorëzua. Sot, 8 vjet më vonë, Altin Hajri po kërkohet me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, për dy çështje njëkohësisht. Për të parën ai po gjykohet në mungesë. E dyta sapo ka filluar të hetohet.
Altin Hajri nuk është ulur asnjëherë në bankën e të akuzuarve në Shqipëri, pa çka se akuzat ndaj tij kanë qenë të shumta prej vitesh.
A do vazhdojë ai të jetë ende “i padukshëm”, apo kësaj radhe SPAK mund të bjerë edhe në gjurmët e tij?
E sigurt është, që të paktën zyrtarisht ai ndodhet në Shqipëri. Askush nuk e beson që Altin Hajri mund ta ketë kaluar kufirin në formë ilegale./Abc