zoom

Aktualitet

E “tradhtoi” SkyEcc, Jurgis Çyrbja u ndihmua nga kriminelët të futej në listën e sigurt për deputet

Detaje të reja dalin nga arrestimi i ish-deputetit Jurgis Çyrbja, i cili u vendos në pranga mbrëmjen e së dielës në Durrës.

Raportohet se socialisti është ndihmuar nga personazhe të botës së krimit për t’u futur në listën e sigurt të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet parlamentare 2021. Jurgis Çyrbja u tradhtua nga bisedat me emra të botës së krimit në aplikacionin Sky Ecc që mësohset se janë zhvilluar në vitin 2020.

Në komunikime është zbuluar se Altin Hajri, i akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës, ka ndihmuar socialistin të renditej i treti në listë, së bashku me të arrestuarin Ahmet Masha.

Në biseda del edhe emri i Edmond Koçit, ish-anëtar i bandës së Durrësit, i njohur ndryshe si “Mond Çekiçi” u ekzekutua me armë zjarri në 20 mars 2021.

“Mond Çekiçi”, konsiderohej nga policia e Durrësit si person me rrezikshmëri, pasi jo vetëm që ishte pjesë përbërëse e një klani kriminal në Durrës, por ai rezultonte të jetë dënuar disa herë për akuzën e mbajtjes pa lejë të armëve dhe kundërshtimit të forcave të policisë.