Aplikacion
Të dhënat tregojnë se sinkronet e aktorëve nga mazhoranca socialiste përbëjnë 2/3 e minutazhit total në 4 televizionet dhe 4 radiot me licencë kombëtare. Ndërkohë, sinkronet nga aktorët e dy partive të mëdha politike – Partia Socialiste në pushtet dhe Partia Demokratike në opozitë – zënë më shumë se 91% të kohës totale në këto media.
Partia e Lirisë, e udhëhequr nga ish-presidenti Ilir Meta, vjen e treta me 3% të minutazhit, ndërsa të gjitha partitë e tjera së bashku përbëjnë pak më shumë se 6%. Të dhënat e AMA-s tregojnë gjithashtu se një pjesë e madhe e sinkroneve në mediat audiovizive i atribuohen kryeministrit Edi Rama, i ndjekur nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj – dy aktorë politikë që rrallë herë i japin qasje të pavarur mediave dhe shpërndajnë në mënyrë të rregullt sinkronet e tyre të parapërgatitura.
Vetëm kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përbëjnë 27% të kohës totale në operatorët me licencë kombëtare, qoftë radio apo televizione, duke u ofruar këtyre të fundit një epërsi në komunikimin e drejtpërdrejtë ose propagandues me publikun, pa filtra editorialë.
Sipas raportit mbi Pronësinë e Medias në Shqipëri për vitin 2023, të hartuar nga BIRN dhe Rregjistri Global i Mediave, katër televizionet kombëtare në vend, përfshirë Klan TV, Top Channel, Vizion Plus dhe RTSH, kontrollojnë 73.6% të audiencës televizive pa pagesë. Raporti thekson se politikat editoriale të këtyre mediave ndikohen nga interesat politike dhe ekonomike të pronarëve, të cilët kanë biznese të tjera në tregje të rregulluara, si ndërtimi, telekomunikacioni, tregtia e hidrokarbureve dhe zhvillimi i pasurive të paluajtshme.
Gjatë periudhës 1-vjeçare, midis gushtit 2023 dhe gushtit 2024, katër televizionet kombëtare i dhanë rreth 108 orë transmetimi sinkroneve të 202 aktorëve kryesorë institucionalë dhe politikë të vendit. Gjysma e kësaj kohe televizive, ose 52% e totalit, shkoi për deputetët e Kuvendit, të ndjekur nga kryeministri dhe anëtarët e kabinetit qeveritar me 24%, përfaqësuesit e pushtetit vendor me 14% dhe përfaqësuesit e partive politike me 7%.
Megjithatë, kur të dhënat analizohen më nga afër, pjesa dërrmuese e kësaj kohe televizive i shpërndahet një numri të kufizuar aktorësh. Kryeministri Edi Rama dominon me afërsisht 17% të kohës televizive të sinkroneve, i ndjekur nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, me 11% dhe kryetari i Partisë Demokratike në opozitë, Sali Berisha, me 9%. Pas Berishës vijnë dy anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar, Taulant Balla dhe Belinda Balluku.
Në mesin e partive politike, dominon Partia Socialiste me 62% të kohës televizive, e ndjekur nga Partia Demokratike në opozitë me 30%. Ndër aktorët e pushtetit vendor, 82% e kohës televizive i shkon kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i ndjekur nga kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, dhe Ilir Alihmemeti, përfaqësues i PD-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës.
Shifrat e shpërndarjes së minutazhit janë të ngjashme edhe në katër radiot kombëtare në vend, përfshirë Radio Tirana, Radio Klan, Top Albania Radio dhe Club FM. Sipas të dhënave të AMA-s, në radio 67% e sinkroneve shkuan për aktorët e mazhorancës dhe 30% për ata të opozitës. Subjekti me minutazhin më të lartë të sinkroneve në radio mbetet kryeministri Edi Rama, me 16% të minutazhit total, i ndjekur nga Taulant Balla dhe Erjon Veliaj.
Sa i përket ndarjes mes pushteteve, deputetët e Kuvendit përbëjnë 44% të sinkroneve në radio, përfaqësuesit e qeverisë 35%, pushteti vendor 10%, ndërsa pjesa e mbetur ndahet midis Presidentit dhe institucioneve të pavarura./BIRN