zoom

Ide & Blog

Duhet protestuar për pensionet!

Nga Endri Kajsiu

Rritja e pensioneve me vetëm 4.1% nga qeveria Rama në tetor të vitit aktual prodhoi një zhgënjim dhe pakënaqësi të thellë tek shtresa e gjerë e pensionistëve në Shqipëri. Është një rritje që nuk mbulon dot as inflacionin ushqimor që sipas INSTAT ishte 9.4% për vitin 2023 (shiko ketu). Pra në terma real pensionet e shqiptarëve janë ulur pasi ata blejnë më pak ushqime me pensionin e tyre në vitin 2024 sesa në vitin 2023.

Zhgënjimi i pensionistëve të Shqipërisë u thellua edhe më tej nga rritja prej 20% që Qeveria Kurti u bëri pensioneve në Kosovë. Ndonëse shumë kritikë të Vetvendosjes e denoncuan një rritje të tillë si lëvizje elektorale të Kurtit para zgjedhjeve, në mëndjet e zhgënjyera të pensionistëve tanë mbeti varuar pyetja; përse Kosova po dhe ne jo?

Është një pyetje legjitime po të kemi parasysh se të ardhurat për frymë të Shqipërisë janë më të mëdha se ato të Kosovës. Ndërkohë si pensioni minimal edhe ai mesatar është më i lartë në Kosovë se sa në Shqipëri. Pa folur për vende të tjera të rajonit si Serbia apo Mali i Zi ku pensionet janë më të larta se tek ne. E megjithatë rritja e fundit e pensioneve në Shqipëri ishte më e ulët se në vende të tjera të rajonit të ngjashme me ne si Kosova.

Ajo që e bën edhe më revoltuese vendimin e qeverisë Rama për mos të rritur pensionet është edhe fakti që forcimi i lekut ndaj euros e ka ulur ndjeshëm borxhin publik të Shqipërisë. Nëse i besojmë informacionit që na jep media, vetëm për vitin 2024 parashikohen të kursehen rreth 22 milion euro nga pagesa e borxhit si pasojë e forcimit të lekut.

Po ti shtojmë kësaj edhe bumin turistik dhe rritjen ekonomike të vendit, që me krenari e propogandon vetë Qeveria Rama, na duhet të arrijmë në konkluzionin që buxheti i shtetit nuk po përballet me një krizë financiare që do mund të justifikonte mosngritjen e pensioneve përtej nivelit të indeksimit. Nëse pensionet nuk rriten sot kur situata ekonomike është e stabilizuar dhe leku i forcuar, cfarë do të ndodhë nesër me pensionet nëse eknomia futet në krizë, nëse shpërthen flluska e ndërtimit dhe leku zhvlerësohet? Përse qeveria Rama nuk i ofron një rritje dinjitoze pensionistëve shqiptarë nëse ekonomia po rritet dhe borxhi publik po ulet?

Pjesë e arësyes se përse qeveria Rama i injoron pensionistët me një lehtësi të papërballueshme është sepse në Shqipëri politika dhe politik-bërja janë larguar gjithnjë e më shumë nga nevojat dhe shqetësimet reale e imediate të qytetarëve. Propozimi i famshëm për një Shtet Bektashi ishte vetëm një nga simptomat e realitetit alternativ ku banon qeverisja aktuale.

Sot qeverisemi nga socialistë që realitetin e shohin shumë më lehtë nga sytë e ndërtuesve dhe pastruesve të parave sesa nga sytë e përvuajtur të pensionistëve. Ndaj prioriteti i tyre është ngritja e kullave me cmime stratosferike në vend të parqeve publike ku mund të pushojnë pensionistët. Këta të fundit qeveria socialiste i konsideron si votues që i ka në xhep, sepse i trëmb kollaj me opozitën berishiste.

Opozita nga ana tjetër është reduktuar aq shumë tek halli i shefit të saj sa ende nuk ka kuptuar se pensionistët e sotëm nuk janë veteranët e djeshëm të Frontit Demokratik por 30 dhe 40 vjeçarët që dje, në vitet 1990 rrëzuan komunizmin teksa votonin PD-në. Ndaj hallet e shtresës së madhe të pensionistëve duket se nuk hyjnë as në shqetësimet dhe as në kalkulimet elektorale të opozitës.

Por ajo që të habit edhe më shumë është mungesa e një proteste qytetare nga vetë pensionistët përtej dasive politike PS-PD që shërbejnë për ti mbajtur ata në mjerim sipas parimit përça e sundo. Rritja qesharake e pensioneve që bëri qeveria Rama, bashkë me ofertën e varfër të një bonusi, ishte një ofendim që meritonte refuzimin dhe protestën e pensionistëve ashtu sikurse edhe një mbulim shumë më cilësor dhe sasior në mediat tona që prej dekadash përsërisin të njëjtin debat Rama/Nano – Berisha/Basha/Meta.

Këtu vlen edhe një herë krahasimi me Kosovën ku protestat për rritjen e pensioneve kanë qenë sa intensive edhe efektive. Në qershor të vitit 2022 veteranët e UÇK-së zhvilluan protesta për rritjen e pensioneve që e detyruan qeverinë Kurti ti përgjigjej shqetësimeve të tyre.

Ka endë kohë, dhe shumë nevojë, që pensionistët, partitë opozitare apo partitë e reja që po ravijëzohen në skenën tonë publike të protestojnë për ofendimin që qeveria Rama i bëri të gjithë pensionistëve me një rritje qesharake të pensioneve që i lë ata më të varfër sot se dje. Është koha të protestojmë, të indinjohemi dhe të rebelohemi edhe për hallet e shtresave të gjera sociale dhe jo vetëm për hallet e politikanëve të veçantë, në pushtet apo opozitë. Lapsi.al