zoom

Aktualitet

15 mijë euro rrogë në muaj/ Shkarkohet drejtoresha e prodhimit të pasaportave

Drejtoresha e kompanisë shtetërore të prodhimit të mjeteve të identifikimit Loina Prifti është shkarkuar, një vit e gjysmë pas vendosjes në krye të kësaj detyre.

Prifti, e cila paguhej në muaj jo më pak se 15 mijë euro është shkarkuar nga detyra nga Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Hoxha, së bashku më disa vartës të saj, të cilët dyshohen për abuzim në menaxhimin e kompanisë shtetërore.

Sipas Lapsi.al pak javë më parë Ministria e Brendshme kishte dërguar një grup auditimi në “IdentiTek” , ku janë konstatuar një sërë shkeljesh në menaxhimin e fondeve dhe praktikave ligjore të ruajtjes së të dhënave sensitive.

Loina Prifti ishte deri para një viti një e re anonime në Gjermani, ku siç u tha punonte në fushën e Inteligjencës Artificiale. Ajo u soll prej andej nga ish-ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi dhe u katapultua pa zhurmë në krye të kompanisë shtetërore që pasoi koncensionin e “Aleat” për prodhimin e pasaportave dhe kartave të identitetit.

Pak muaj pas emërimit, Loina Prifti nisi një spastrim të gjerë në kompaninë që drejtonte, duke larguar shumë profesionistë që punonin aty prej 15 vitesh

Megjithatë raporti i plotë i grupit të auditimit të Ministrisë së Brendshme pritet të hedhë më shumë dritë mbi abuzimet e Loina Priftit dhe vartësve të saj në kompaninë “IdentiTek”.