Aplikacion
Thirrjet për evakuim nga qytezat jugore vlejnë edhe për kryeqytetit provincial, Nabatieh, që nënkupton se një operacion tjetër izraelit kundër grupit militant Hezbollah – i cili kontrollon Libanin jugor – është i pashmangshëm.
Izraeli i dërgoi trupat tokësore në jug të Libanit pas dy javëve bombardimesh të pareshtura ajrore kundër Hezbollahut.
Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.
Ndërkohë, në periferinë jugore të Bejrutit, bastionin e Hezbollahut, janë dëgjuar tri shpërthime të enjten. Disa shtëllunga të mëdha tymi u panë duke u ngritur lart pas sulmeve të fuqishme izraelite. Gjatë natës, Izraeli e bombardoi Bejrutin qendror, duke i vrarë nëntë njerëz, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit.
Dëshmitarët thanë për Reuters se dëgjuan një shpërthim të madh, për të cilin një burim sigurie tha në shënjestër kishte një ndërtesë në distriktin Baçura, disa qindra metra nga Parlamenti.
“Një tjetër natë pa gjumë në Bejrut. Duke numëruar shpërthimet që po tronditin qytetin. Pa sirena paralajmëruese. Pa e ditur se çfarë vjen më pas. Vetëm pasiguria që na pret. Ankthi dhe frika janë të kudogjendura”, tha të enjten koordinatorja e posaçme e OKB-së në Liban, Jeanine Hennis-Plasschaert, në X.
Një grup i mbrojtjes civile, i lidhur me Hezbollahun, tha se shtatë pjesëtarë nga stafi i tij, përfshirë dy mjekë, u vranë në sulmin në Bejrut, për të cilin Izraeli tha se ishte një sulm ajror “i saktë”.
Izraeli gjithashtu tha se ka goditur një ndërtesë komunale në qytetin jugor libanez, Bint Jbeil, duke vrarë 15 anëtarë të Hezbollahut, ndërsa më shumë se një duzinë raketash izraelite goditën periferinë jugore të Dahieh, ku udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, u vra javën e kaluar.
Kaos në Korenë e Jugut/ Presidenti ndërron mendje: Do tërheq vendimin për shpalljen e luftës