zoom

Bota

Ekonomia në Lindje të Gjermanisë po lulëzon, por pse shumë njerëz janë të pakënaqur me politikën

Sipas qeverisë federale, ekonomia në Lindje po lulëzon. Por shumë njerëz janë të pakënaqur me politikën. Pse?

Pse kaq shumë njerëz në Gjermaninë Lindore votojnë veçanërisht për partinë ekstremiste të krahut të djathtë AfD dhe partinë e re populiste të krahut të majtë BSW? Në zgjedhjet në Tyringi, Saksoni dhe Brandenburg, Alternativa për Gjermaninë (AfD) fitoi 29 deri në 33 për qind ndërsa Aleanca Sahra Wagenknecht (BSW) fitoi 12 deri 14 për qind të votave.

Raporti vjetor i përfaqësuesit të qeverisë për Gjermaninë Lindore, të cilin Carsten Schneider e prezantoi këto ditë në Berlin, mund të japë disa përgjigje për këto pyetje. Për herë të dytë që nga viti 2022, Schneider, i cili vetë vjen nga Tyringia, ka shqyrtuar zhvillimin ekonomik dhe social së bashku me autorë të shumtë të shquar.

Përfundimi i tij: Gjermania është “e lirë, e bashkuar dhe e papërfunduar”. Vendi ka ndryshuar shumë që nga viti 1990, duke përfshirë edhe ndryshimet në Perëndim, thotë Carsten Schneider. “Vetë demokracia favorizohet si modeli kryesor social në Lindje dhe Perëndim, por ka pakënaqësi me politikat dhe zbatimin e politikave.

Edhe 35 vjet pas rënies së Murit të Berlinit, ka dallime ekonomike me landet e vjetra federale, por dinamika e përgjithshme e rritjes është pozitive. Shumica e njerëzve në Lindje e vlerësuan situatën e tyre ekonomike si të mirë, por nuk ndiheshin të kuptuar siç duhet dhe sa duhet nga politika. Ata kanë më pak besim në institucionet demokratike sesa gjermanët në Perëndim.

“Frika nga ndryshimi”

Prifti Martin Liedtke po ashtu e sheh këtë gjendje në Lübben, një qytet i vogël në Brandenburg. Ai e përshkruan gjendjen shpirtërore në komunitetin e tij kështu: “Ajo që vërej është se njerëzit kanë frikë nga ndryshimi dhe se ata janë të hapur ndaj pozicioneve ose partive që u premtojnë atyre se gjërat mund të vazhdojnë kështu.”

Prifti Liedtke tha në një intervistë për DW se në zgjedhjet e landeve pesë vjet më parë ishte ende mirë të votohej për të Gjelbrit dhe për mbrojtjen e klimës. Tani gjithçka po sillet rreth migrimit. “E kjo ndryshon shumë nga gjendja e mëparshme,” thekson prifti protestant i kongregacionit Paul Gerhardt, disa ditë pas zgjedhjeve më të fundit.

Përfaqësuesi i qeverisë për lindjen, Carsten Schneider është “i tronditur, i zhgënjyer dhe i alarmuar” nga zhvillimet politike në Tyringi, Saksoni dhe Brandenburg. Në raportin e tij ai pranon se ka ende paga më të ulëta në pesë landet lindore të Gjermanisë sesa në ato perëndimore. Gjermanolindorët janë të nënpërfaqësuar në elitat drejtuese në biznes, shkencë e gjyqësor. Por po bëhen investime masive. Papunësia është e ulët. Infrastruktura dhe shërbimet publike ndonjëherë janë më të zhvilluara sesa në Perëndim.

“Pakënaqësi kolektive”

Kreu i Institutit të Ekonomisë Gjermane, Michael Hüther, shkruan në raportin vjetor se Gjermania Lindore pësoi një “zhvillim mbresëlënës” pas ribashkimit gjerman më 1990. “Në pamje të parë, pakënaqësia kolektive që reflektohet në kutinë e votimit nuk përputhet domosdoshmërisht me sukseset ekonomike. Pasiguria dhe shqetësimi aktual i njerëzve në rajonet e prekura nga transformimi po forcojnë mbështetjen e AfD në mbarë vendin”, tha eksperti i ekonomisë. “Ky fenomen është veçanërisht i theksuar në rajonet e Gjermanisë Lindore./DW