Aplikacion
Një shoqëri dhe klasë politike hipokrite!
Së pari, ngushëllime familjes së Gerti Bogdanit dhe, nëse ngushëllimi im ndikon sado pak në lehtësimin e dhimbjes së madhe, jam pranë bashkëshortes, fëmijëve dhe pjestarëve të tjerë të familjes në çdo pikë loti që po derdhin për humbjen e njeriut të tyre të shtrenjtë.
Prej dy ditësh kam lexuar kaq shumë vlerësime pozitive për Gertin nga miqtë dhe shokët, të afërmit, ata që e njohin shumë mirë. Bashkëpunëtorët e tij në parti, thuajse të gjithë, nga kryetari deri tek anëtarët e thjeshtë që kishin patur mundësi ta njihnin. Deputetët të tjerë të parlamentit, pavarësisht partive që u përkasin, gazetarë dhe njerëz të tjerë publik, fjala e të cilëve ka peshë në atë që quhet apo përbën “opinionin publik”. Por edhe shumë qytetarë të thjeshtë, pa angazhime politike e intelektuale. Kjo u pa edhe në vargun e gjatë të njerëzve që shkuan ti vënë një “dorë mbi krye” në përcjelljen e fundit.
-Njeri i drejtë
-Njëri i përkryer
-Bashkëshort dhe prind model
-Diplomuar në të gjitha nivelet arsimore me “Medalje Ari”
-Politikan i një gjenerate dhe shkolle të re
-Politikan model
-Politikan me integritet
-Përfaqësues i një brezi të shkëlqyer
-I pakorruptuar
-Jo konfliktual
-Vizionar e i drejtë
-Idealist dhe i përkushtuar
-Më i miri “ndër ne”
……..
Po mirë, kur Gerti Bogdani kishte tërë këto cilësi, përse nuk ishte ende në atë parlament?
Përse nuk e futën në listë ata që i kishin në dorë, apo përse nuk e votuan ata që e kishin në dorë?
Përse demokratët nuk e zgjodhën në forumet më të larta drejtuese të partisë së tyre të lodhur, që po tërhiqet zvarrë?
Tek e fundit, përse nuk ia besuan drejtimin e partisë “djalit të pastër, vizionar e idealist”, kur partia ka mbetur me sytë nga qielli e ballkoni njëkohësisht?
Në 2022 ai garoi në primaret e PD-së në Tiranë, për të qenë kandidat për zgjedhjet për kryetar bashkie që u mbajtën në 2023, por anëtarësia nuk e votoi.
Derisa ai ishte jo agresiv, jo sherrxhi, por i paqtë e përbashkues, përse nuk e zgjodhën kryetar të parlamentit, kur ai institucion ka patur kaq shumë nevojë për njerëz të tillë?
Derisa Gerti ishte një njeri dhe familjar model, përse ai nuk ishte në drejtimin e ndonjë institucioni të rëndësishëm, por janë mbushur zyrat me burra që mbajnë hareme vartësesh në administratë?
Unë Gertin e njihja në distancë dhe me aq sa e njihja ndaj vlerësim pozitiv. Dhe besoj se lumi i fjalëve të mira që u tha është i merituar.
Megjithatë, në këtë rast ka vetëm dy mundësi:
Ose Gerti ishte vërtet një njeri me të gjitha këto cilësi, por ne jemi një shoqëri që nuk dimë të zgjedhim, nuk dimë të vlerësojmë dhe jemi të prirur nga e liga, nga tarafi, nga interesi.
Ose Gerti nuk ishte plotësisht ai që ne përcollëm sot, por në ditën e fundit të qëndrimit mbi tokë, ne e hapim thesin e lëvdatave dhe të “lajmë e të lyejmë”.
Në të dyja rastet, jemi një shoqëri hipokrite.
Hipokritë me veten, hipokritë me tjetrin!