Aplikacion
Prej vitesh në Britani është diskutuar skema e Ruandës, e cila u rrëzua nga gjykata dhe që parashikonte dërgimin në vendin afrikan të të gjithë emigrantëve të paligjshëm. Tashmë qeveria e Mbretërisë së Bashkuar thuhet se po shqyrton nëse do të ndjekë një skemë të ngjashme me atë të Italisë në Shqipëri.
Steve Valdez-Symonds, drejtori i të drejtave të refugjatëve dhe migrantëve në zyrën e Amnesty International për Mbretërinë e Bashkuar është njëri nga kundërshtarët.
“Nuk duhet të diskutohet që Britania e Madhe të bëjë një marrëveshje për të ngarkuar përgjegjësitë e saj mbi vendet e tjera. Nuk duhet as në Shqipëri, Ruanda apo kudo tjetër. Pas përpjekjes së turpshme të qeverisë konservatore për këtë, gjëja e fundit që nevojitet është një tjetër qeveri që ndjek skema për të shmangur përmbushjen e detyrimeve relativisht modeste të Mbretërisë së Bashkuar për refugjatët në vend që të tregojë njëfarë lidershipi dhe të marrë përgjegjësi.
Qeveria duhet të përpiqet të rivendosë reputacionin e goditur të Mbretërisë së Bashkuar për çështjet e refugjatëve duke riparuar një sistem azili që është sabotuar qëllimisht nga sekretarët e brendshëm të njëpasnjëshëm prej vitesh. Ne kemi nevojë për rrugë të sigurta azili për të ndihmuar në dhënien fund të praktikave shfrytëzuese të kontrabandistëve të njerëzve. Ne kemi nevojë për një sistem të drejtë dhe efikas për përpunimin e kërkesave për azil të njerëzve sido që të mbërrijnë” – thotë Valdez-Symonds.
Më herët edhe Human Rights Watch ka kritikuar marrëveshjen e Italisë me Shqipërinë, duke argumentuar se ajo “minon të drejtat e azilit” dhe “nuk ka të ngjarë të pengojë kalimet e rrezikshme”. Edhe pse është interesuar, Starmer deklarohet i kujdesshëm, duke thënë se janë ditët e para dhe ai po vëzhgon se si funksionojë ideja e Italisë.