zoom

Kosova

Bëmë e Vuçiç? Sulmohet me molotovë shtëpia në veri të Kosovës

Një shtëpi u dogj me molotovë në orët e para të së mëngjesit në lagjen Kodra e Minatorëve në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe.

Lajmin e bëri të ditur ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. Përmes një postimi në rrjete sociale, ai tha se zjarri është fikur dhe se përveç dëmeve materiale, nuk ka persona të lënduar.

Krasniqi tha gjithashtu se shtëpia ishte ndërtuar nga Qeveria e Kosovës, për të mbështetur kthimin e banorëve në këtë lagje multietnike, ndërsa akuzoi Beogradin zyrtar për nxitje të tensioneve.

“Ky sulm është nxitet nga Vuçiçi i cili ka mbetur i mbyllur në propagandën e tij dhe e ka humbur kontrollin e strukturave paralele në pjesën veriore”, tha ministri i Kosovës për Pushtetin Lokal, Elbert Krasniqi.

Incident i fundit në komunat e banuara me shumicë serbe vjen vetëm pak orë, përpara takimit të radhës të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë.

Besnik Bislimi dhe Petar Petkovic mbërrijnë këtë të martë në Bruksel, për një tjetër raund bisedimesh në kuadër të dialogut të normalizimit të marrëdhënieve.

Tensionet mes dy vendeve janë rritur, me autoritetet e Kosovës që kanë mbyllur disa institucione paralele serbe në veri dhe Serbinë që ka nxjerrë së fundmi disa masa dhe kërkesa për Kosovën për tu rikthyer në dialog.

BE ka përsëritur vazhdimisht se dialogu është e vetmja mënyrë për normalizimin e marrëdhënieve, dhe përparimi në këtë proces është kusht për integrimin e secilit vend.