zoom

Lajme

Nga pushtimi i Kosovës tek masat drastike/ Çfarë tha Vuçiç në fjalimin e jashtëzakonshëm

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vucic ka njoftuar përmes një konference të jashtëzakonshme një sërë kërkesash dhe masash që ai dhe qeveria e tij do të ndërmarrin për Kosovën.

Shpallja e zgjedhjeve të reja lokale në veri, kthimi i serbëve në institucionet e Kosovë si polici dhe gjyqësor, si dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut, kanë qenë disa prej kërkesave kryesore që ka përmendur presidenti serb.

Fjalimin e tij Vucic e shoqëroi me disa pamje të shfaqura në një ekran ku paraqiteshin pikat kryesore. “Ne kërkojmë një kthim në Status Quo duke hequr pasojat kryesore të veprimeve të njëanshme dhe të pakoordinuara të regjimit të Kurtit, që është një parakusht i domosdoshëm për përparim domethënës në procesin e dialogut. Për këtë do të nis një fushatë diplomatike globale për përmbyshjen e shtatë kërkesave të nevojshme për përparimin në dialog.”- tha Vuçiç.

Ai u shpreh gjithashtu se brenda 45 ditëve Parlamenti i Serbisë do të miratojë ligje për shpalljen e katër komunave veriore si zonë të mbrojtjes së veçantë sociale dhe krijimin e një Prokurorie të Posaçme që do të trajtojë shkeljet në zonën e Kosovës. “Kjo për shkak se ky terror ka për qëllim që t’ua vështirësojë jetën njerëzve të zakonshëm, serbëve në Kosovë dhe Metohi, dhe për këtë ne do të rrisim në mënyrë drastike mbështetjen dhe ndihmën tonë për popullatën. Prokuroria Speciale do të ketë detyrë të veçantë hetimin dhe ndjekjen penale të kundërligjshme të punonjësve dhe zyrtarëve të Kosovës”- deklaroi presidenti serb. Vucic deklaroi gjithashtu se do të krijohen dy zyra të posacme pranë kufirit që do të kujdesen me problematikat që serbët e veriut përballen.

Sa i përket shpalljes së pushtimit të Kosovës, Vuçiç tha se ende nuk ka marrë një vendim të tillë për shkak se është kundërshtuar nga ekspertët juridikë. “Kjo do të nënkuptonte se Serbia do të njihte territorin e Kosovës dhe Metohisë si territor të një shteti tjetër dhe do të njihej statusi i forcave të armatosura të Kosovës si të ligjshme. Pra, ne nuk duhet t’u japim atyre statusin e një force të armatosur legale. Kjo është arsyeja e parë dhe kryesore.”

Formimi me urgjencë i Asosiacionit dhe rikthimi i valutës serbe në përdorim ishin gjithashtu mes kërkesave që Vuçiç paraqiti.