zoom

Aktualitet

Bardhi: Drejtorin e Policisë Shkodër e emëroi krimi. Reagon Sulaj: Do të të padis!

Drejtori i Policisë Shkodër, Edmond Sulaj u akuzua këtë të enjte në seancë plenare nga Partia Demokratike se është emëruar në këtë pozicion nga krimi, për të qenë në shërbim të bandave.

Kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi tha se për këtë ka disa biseda sekrete dhe të koduara nga platforma SKY ECC, të kapura nga partnerët ligjzbatues europianë.

Bardhi publikoi një komunikim në SKY ECC, që sipas tij tregun se kush e ka zgjedhur kreun e Policisë së Shkodrës.

“Unë po të pyes (i drejtohet Ramës) si ta quajnë drejtorin e policisë së Shkodrës, e di emrin? Ta them unë kush ta ka emëruar.

Kodi pin i Sky ECC, DGLXJM: O vëlla ka llafe për atë mikun tënd ministër të Brendshëm. Di gjë ti?

Përgjigjet kodi sky 7142D9: Po por kam frikë se nuk e bën.

Ndërhyn prapë kodi DGLXJM: Mua Mondi (Edmond Sulaj, kryepolici aktual i Shkodrës) më duhet një dimër aty vëlla.

Në fakt Mondi është drejtori aktual i policisë Shkodër që u emërua një muaj pasi ky miku i ministrit të Brendshëm është përfaqësues i një prej bandave më të rrezikshme në vend u bë ministër i Brendshëm. Dhe vjen ti këtu dhe akuzon opozitën, se të thotë që je i lidhur me krimin e organizuar? Patjetër që do japësh llogari”, tha Bardhi.

Reagon Drejtori i Policisë Shkodër

Pas akuzave, Kryepolici i Shkodrës Edmond Sulaj reagoi duke shpjeguar se Bardhi i referohet vitit 2020, ndërsa ai është emëruar si drejtor në vitin 2023.

Për këtë fakt, Sulaj i konsideron shpifje pretendimet e PD dhe paralajmëron se do të depozitojë padi.

“Lidhur me disa deklarime të bëra nga një përfaqësus i një subjekti politik në seancën plenare të datës 12.09.2024 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për disa insinuata për emërimin tim Drejtor të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, unë ndiej përgjegjësinë morale dhe profesionale të sqaroj opinion publik se këto deklarata të bëra sot, janë shpifje, të pabazuara dhe synojnë që të cënojnë figurën time në këtë proces të rëndësishëm të hapjes së konkurseve për pozicionet drejtuese në Policinë e Shtetit.

Sqaroj opinionin publik se unë Drejtuesi i Parë Edmond Reis SULAJ, jam emëruar në këtë pozicion sipas Urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit nr. 6108, datë 11.10.2023. Sqarohet qartësisht se emërimi im, është kryer rreth 3 vite më vonë se periudha kohore së cilës i referohet deklaruesi.

Në vijim, informoj se do të procedoj me hapat ligjorë që parashikon ligji në fuqi, përfshirë edhe depozitimin e një kallëzimi penal”, reagoi Sulaj.