Aplikacion
“Ata kurrë nuk do të lejohen që të vrasin shpirtin e demokracisë”, kishte deklaruar Powell. “Ata nuk mund të shkatërrojë shoqërinë tonë. Ata nuk mund të shkatërrojnë besimin tonë në rrugën demokratike”.
Presidenti George W.Bush, i cili fitoi zgjedhjet më 2000 si një kandidat që do të ishte i kujdesshëm lidhur me dërgimin e trupave amerikane në luftëra të huaja, shpejt e bëri luftën kundër terrorizmit global politikën e tij kryesore dhe krijoi një “koalicion ndërkombëtar” që do të kryente këtë mision.
Pushtimi i Afganistanit, i udhëhequr nga SHBA-ja, kishte qëllim kryesor rrjetin terrorist të Al-Kaidës, grup që ishte strehuar në Afganistan dhe kishte kryer sulmet vdekjeprurëse të 11 shtatorit. Dhe kur shkoi në tokën afgane, Uashingtoni shpejt rrëzoi nga pushteti regjimin taliban, të akuzuar për strehimin e Al-Kaidës.
Por, përvoja e SHBA-së në Afganistan përfundoi me dështim dhe grupi i linjës së ashpër u kthye në pushtet. Lufta pothuajse 20-vjeçare përfundoi me kosto të madhe, në kuptimin e jetës së humbur dhe parave të shpenzuara. Dhe bëri që publiku amerikan dhe politikanët nga të dyja partitë kryesore të jenë hezitues që të përfshihen në “luftëra të përhershme” që nuk mund të fitohen.
“Më shumë se 2 trilionë dollarë janë shpenzuar në Afganistan”, deklaroi presidenti amerikan, Joe Biden, më 31 gusht 2021, teksa njoftoi zyrtarisht përfundimin e luftës më të gjatë në historinë amerikane. “20.7444 ushtarakë dhe gra amerikane janë plagosur dhe kemi humbur 2.461 pjesëtarë të personelit amerikan”.
Duke i shpjeguar publikut amerikan se ai nuk do “ta zgjas përgjithmonë këtë luftë”, Biden nuk përmendi 70.000 vdekje të vlerësuara të forcave të sigurisë afgane, më shumë se 46.000 civilë afganë të vdekur dhe vdekjen e më shumë se 4.000 trupave aleate dhe kontraktorëve të SHBA-së.
Tërheqja, gjatë mandatit të Bidenit, është bërë temë e debatit para zgjedhjeve presidenciale amerikane të 5 nëntorit. I nominuari republikan, njëherësh ish-presidenti Donald Trump, ka kritikuar Bidenin dhe nënpresidenten Kamala Harris, e cila po garon kundër Trumpit, për “poshtërim në Afganistan”. Shumica e kritikave përqendrohen në ditët e fundit kaotike të tërheqjes, kur 13 ushtarë amerikanë dhe 170 civilë afganë vdiqën gjatë një bombardimi të kryer nga grupi ekstremist, Shteti Islamik-Korasan.
Fushata e Harrisit, ndërkaq, ka vënë në pah rolin e Trumpit si president, kur ai më 2020 nënshkroi një marrëveshje me talibanët që i hapi rrugë tërheqjes dhe ofroi një afat “pothuajse të pamundur”.
Por, ekspertët me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë theksuan se disa administrata amerikane, duke filluar nga ajo e presidentit demokrat, Barack Obama nga viti 2009 deri më 2017, e kishin kuptuar se ajo që kishte nisur si luftë kundër terrorizmit, ishte shndërruar në një përpjekje shumë të kushtueshme dhe potencialisht “të përhershme”.
“Ishte një luftë jashtëzakonisht e shtrenjtë në një vend që ndoshta ishte më pak i rëndësishmi për SHBA-në”, tha Vali Nasr, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe studimeve të Lindjes së Mesme në Universitetin Johns Hopkins. “Ishte një luftë që SHBA-ja e nisi për të shkatërruar Al-Kaidën, gjë që e bëri shumë shpejt, dhe më pas për të dëbuar talibanët nga Afganistani, gjë që u arrit. Më pas u shndërrua në diçka më të madhe, në krijimin e demokracisë në Afganistan dhe të një qeverie funksionale dhe si ta mbështeste atë”.
Pyetja që u parashtrua nga Obama, i cili ishte nismëtar i strategjisë së largimit nga Afganistani përmes reduktimit të numrit të trupave amerikane në Afganistan, dhe më pas Trumpi, ishte nëse kishte një arsye bindëse për të qëndruar në këtë shtet.
SHBA-ka “po bëhej e përkushtuar në një luftë të përhershme, ose në një prani të përhershme, duke shpenzuar miliarda dollarë në vit dhe dhjetëra mijëra trupa, me kushtin që kërcënimi nga Afganistani kishte rënë dhe vlerat strategjike e shtetit po ashtu kishte rënë”, tha Nasr.
Dhe ekonomia dhe shoqëria civile e krijuar nën mbrojtjen e ushtrisë amerikane, tha ai, nuk ishte diçka që Afganistani mund ta mbështeste vet.
“Ajo që SHBA-ja krijoi është si një pemë që kurrë nuk lëshoi rrënjë”, tha Nasr. “Pra, në një pikë ju do të thoni: ‘Do të ndaloj së ujituri dhe do të heq dorë nga tentimi që me forcë ta mbaj drejt këtë pemë”.
Rajan Menon, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Kolegjin e Qytetit të Nju Jorkut dhe drejtor në Programin për Strategjinë e Madhe në Prioritetet e Mbrojtjes, tha se “pa marrë parasysh se sa gjatë qëndroi SHBA-ja, unë nuk shoh se mund të ketë pasur ndonjë përfundim të mirë kjo situatë”.
Rezultati i mirë, më minimal, tha Menon, do të kishte qenë “një shtet stabil me një Qeveri që ndoshta nuk do të ishte demokratike, por mund të llogaritej se nuk do të shërbente si një platformë për terrorin dhe do të kishte një raport pozitiv me SHBA-në”.
Por, në përpjekje për të realizuar këtë qëllim, në thelb ajo se çfarë “po përpiqeni të bëni është të angazhoheni në ndërtimin e një kombi”, tha Menon. Edhe “një makineri shumë, shumë e fuqishme ushtarake” sikurse SHBA-ja ka vështirësi që ta arrijë këtë, tha ai, duke shtuar se “nuk ka tërheqje të bukura”.
Për të shmangur një tërheqje kaotike, siç ndodhi në Afganistan, Menon tha se “duhet të ndërtoni institucione, të natyrës politike, ushtarake dhe qytetare”. Pa këtë, “kur largoheni dhe hiqni mbrojtjen ushtarake, institucionet do të nisin të rrënohen dhe kjo është pikërisht ajo që ndodhi”.
Luftërat e SHBA-së dhe përpjekjet për ndërtimin e demokracisë nuk ishin të izoluara në Afganistan gjatë fushatës të saj gati 20-vjeçare atje. Kishte të tjera – veçmas lufta e kushtueshme në Irak nga viti 2003 deri më 2011 – që ish-sekretari i Shtetit Powell argumentoi se ishin të nevojshme, për shkak të një programi të pretenduar irakian për krijimin e armëve të shkatërrimit në masë, që në vonë doli se nuk ekzistonte.
Para vdekjes së tij më 2021 vetëm gjashtë javë pasi SHBA-ja u tërhoq nga Afganistani, Powell deklaroi se argumentet e tij para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara “ishin një dështim i madh i inteligjencës”.
Bagdadi dhe SHBA-ja, që dërgoi trupa sërish në Irak më 2014 për të ndihmuar në luftën kundër grupit ekstremist Shteti Islamik (IS), ende po tentojnë të rregullojnë raportet. Sipas Qendrës Soufan, më 9 shtator, të dyja palët raportohet se kanë arritur një marrëveshje për tranzicionin e përpjekjeve që udhëhiqen nga SHBA-ja kundër IS-it në një partneritet dypalësh.
Pra, a ka përfunduar epoka e SHBA-së e “luftërave të përhershme?
Shumë nga rrethanat unike që e përcollën pushtimin afgan – një sulm i drejtpërdrejtë në tokën amerikane, antiterrori që u bë një pikë qendrore e politikës amerikane dhe ideja se ndërtimi i një kombi është një zgjidhje efektive – nuk ka gjasa të përsëriten, tha Nasr.
Dhe disponimi në SHBA në mes të një fushate të ashpër zgjedhore është dëshmi se një gjë e tillë duhet të mendohet dy herë.
Si me Trumpin dhe Harrisin ka “pak kritika kundër të ashtuquajturave luftëra të përhershme… dhe mendoj se publiku amerikan me gjasë do të jetë më pak mbështetës” për një përfshirje në luftëra të tilla në të ardhmen, tha Menon.
Por, Madiha Afzal, hulumtues në Programin për Politikë të Jashtme në Brookings, tha se “përderisa disa mësime të nxjerra nga lufta në Afganistan” kanë nisur të diskutohen, veçmas në vitet e fundit të konfliktit, “katastrofa e tërheqjes… në të vërtetë e përqendroi bisedën në Amerikë për Afganistanin vetëm në aspektin e tërheqjes”.
Një diskutim më i gjerë për luftën, tha Afzal, “është errësuar plotësisht” për shkak se pjesa më e madhe e bisedës është bërë shumë e ndarë në linja partiake.
“Kam frikë se mësimet më të mëdha të nxjerra nga lufta 20-vjeçare janë humbur me kalimin e kohës”, tha Afzal./REL
Berisha: Viktima Alfred Dedja, menaxher dhe dëshmitar në vendin ku u copëtua trupi i Jan Prengës