zoom

Aktualitet

Trafik emigrantësh dhe “shtëpi bari”/ Burg për shqiptarët në Britani

Katër shqiptarë janë dënuar me burg në Britani të Madhe nën akuzë për trafik emigrantësh dhe kultivim lëndësh narkotike.

Sipas medieve të huaja bëhet fjalë për Dritan Meta, 43 vjeç, Ilir Kodra, 49 vjeç, Refik Skepi, 45 vjeç dhe Visar Elezaj, 39 vjeç.

Në një seancë dëgjimore në Gjykatën e Reading Crown të martën, kreu i grupit Meta, u dënua me gjithsej 11 vjet burg, ndërsa Skepi u dënua me 6 vjet burg. Kodra u burgos me 4 vjet e 7 muaj, ndërsa Elezaj me 3 vjet e 6 muaj.

Hetimi filloi në prill 2022, kur oficerët u informuan për kultivim të kanabisit në shkallë kombëtare.

Pikërisht gjatë këtij hetimi u zbuluan provat rreth transportimit të emigrantëve nga Dunkirk në Francë në Britani të Madhe, duke përdorur varka të vogla dhe gomone.

Hetimi për kultivimin e drogës zbuloi se Meta, Skepi dhe Elezaj kishin marrë kontrollin e një njësie të madhe industriale në South Fambridge në Essex. Gjatë këtij kontrolli, u zbulua një fabrikë kanabisi shumë e sofistikuar ku kultivoheshin rreth 1000 bimë. Vlera e drogës arrinte 1.3 deri në 1.6 milion paund.