Aplikacion
Presidenti i Serbisë konfirmoi se nuk do të marrë pjesë në samitin e BRICS në Kazan në tetor, pavarësisht se ftesën nga homologu rus e kishte marrë 12 ditë më parë.
“Faleminderit Presidentit Putin dhe njerëzve të BRICS, por ne kemi një vizitë shumë të rëndësishme në ato data, pa përmendur udhëtimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kemi shumë vizita të rëndësishme. Ne kemi gjithashtu Nju Jorkun dhe tashmë e di se do të kem bisedime me të paktën gjashtë presidentë dhe të paktën shtatë ose tetë kryeministra në margjinat e sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së”, tha Vuçiç.
Ai gjithashtu tha se do të kremtohet 80-vjetori i çlirimit të Beogradit më 20 tetor duke falënderuar Ushtrinë e Kuqe, e cila sipas tij, në pjesën më të madhe bashkë me Rusinë ndihmuan në atë çlirim.
Vuçiç u pyet për pozicionin e Serbisë mes Lindjes dhe Perëndimit, me përgjigjen që sinjalizoi se do të vazhdojë të ulet në disa karrige. “Serbia është në vendin e saj, në Europë, por i ruan lidhjet dhe miqësitë tradicionale me Rusinë, Kinën dhe Azerbajxhanin”, theksoi ai.
Refuzimi i ftesës nga Vuçiç vjen vetëm një ditë pasi zëvendëskryeministri serb, Aleksandër Vulin, takoi presidentin rus, Vladimir Putin. Shefi i Kremlinit pati kritika në drejtim të Beogradit duke kërkuar një takim mes liderëve sa më shpejt për të adresuar rënien e vëllimit të tregtisë mes Serbisë dhe Rusisë, gjithashtu për të rinovuar kontratën e furnizimit me gaz.
Në fokus të bisedimeve ishin edhe tensionet në Ballkan, që siç tha më herët Kremlini shqetësojnë thellësisht Moskën. Vulin ju ankua presidentit rus se situata në Kosovë është e vështirë dhe se Prishtina po përpiqet të bëjë spastrim etnik të serbëve.