zoom

Kosova

Thirrjet për barrikada në veri, policia e Kosovës: Jemi gati për çdo skenar

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka deklaruar se situata në pikat kufitare të veriut nuk pritet të eskalojë, edhe pse për nesër është paralajmëruar bllokimi i tyre.

Ai ka këshilluar qytetarët të shmangin frekuentimin e këtyre pikave pas orës 18:00 dhe ka theksuar se Policia e Kosovës ka përgatitur plane operacionale për çdo skenar të mundshëm.

“Po gjithmonë kur kemi informacion se diçka mund të ndodhë, ne kemi planet tona operacionale, mirëpo duke marrë parasysh natyrën e situatës në veri, nuk na zë asgjë në befasi. Kështu që konsiderojmë për çdo gjë do të kalojë në rregull në rast se kemi bllokada në pika kufitare serbe.

Ajo që duhet të kenë kujdes qytetarët është që të mos i frekuentojnë mundësisht këto pika kufitare nga ora 18:00, ashtu siç është paralajmëruar.

Elshani gjithashtu komentoi edhe lidhur me intervistimin e pesë të dyshuarve për mbylljen e ish-objekteve të komunave paralele, duke theksuar se kjo çështje është në duart e hetuesve dhe prokurorisë.

“Kjo është punë e hetuesve dhe e prokurorit në fjalë, mesa e di janë pesë ftesa të cilat i kemi shpërndarë, katër i kemi gjetur nëpër shtëpi, një jo. Kaq mund të them unë. Arsyeja pse ata intervistohen lidhet me rastin e komunave paralele që kemi mbyllur të premten e kaluar”, përfundoi Elshani.

Postime të lidhura