zoom

Aktualitet

Protestat për Thumanë – Kashar, çfarë kërkojnë banorët dhe përse Rama e Ulaj nuk u japin zgjidhje

Banorët e Fushë – Krujës, Krujës dhe zonave përreth po protestojnë prej javësh duke bllokuar kalimin në autostradën e re Thumanë – Kashar.
Këtë të hënë të 2 shtatorit u tubuan përpara parlamentit.

Të paktën 9 herë ata kanë dalë për të bllokuar kalimin në autostradë dhe janë përleshur edhe me policinë, e cila, në disa raste ka përdorur edhe gaz lotsjellës.

Në fillim protestuan se u morën tokat me çmime, që sipas banorëve, ishin shumë larg çmimit të tregut. Më pas protestuan se rrugën nga Qafë – Kashari në Rinas e bënë me 1 kalim.

Po tani, cila është arsyeja e kësaj revolte të këtyre banorëve që duan ta sjellin atë në dyet e parlamentit?

Rruga e re nis në Qafë – Kashar dhe lidhet me autostradën ekzistuese Thumanë – Milot.

Lidhja me këtë autostradë u mbylli aksesin që ata kishin në afërsi të Thumanës për të shkuar në Lezhë, Shkodër, Kukës apo Kosovë.
Ky ishte pika hyrëse në autostradë për të gjithë pjesën tjetër të vendit për të shkuar në veri.

Tani e banorët e Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Vlorës dhe qyteteve të tjera të jugut e juglindjes hyjnë në Qafë – Kashar për të shkuar në veri. Në këtë pikë, ose në Rinas, do të duhet ta marrin autostradën edhe banorët e Krujës, Fushë – Krujës, Thumanës, Niklës dhe fshatrave të tjerë përreth.

Kjo do të thotë se ata do të duhet të bëjnë të paktën 10 kilometër rrugë shtesë (nga Fushë Kruja në Rinas) duke humbur afro 20 minuta kohë.

Banorët kërkojnë që në autostradën e re të hapen hyrje – dalje, të paktën aty ku më parë ishte rrethrrotullimi i Thumanës, që lidhte rrugën e vjetër me autostradën.

Në projektin e paraqitur për ndërtimin e rrugës thuhet se “rritja e fluksit te levizjes se perdorureseve te rruges sipas ketij aksi rrugore do te rrise te ardhurat e
banoreve lokale per shkak te mundesive me te medha per te tregtuar produketet e tyre, duke shkurtuar kohen e udhetimit, dhe rritur sigurine rrugore”.

Por shihni se shprehen banorët përpara kamerave të atyre pak televizioneve që e kanë transmetuar protestën e tyre.

Banori 1: “Se si e ka pre rrugën ky, e ka nxjerrë Krujën jashtë harte, e di kryeministri! Të mbyllet kjo rrugë ekzsituese…? Janë të gjithë ata banorë që nuk kanë nga të hyjnë apo dalin. Ose do shkojnë deri në Kashar që të dalin. Të mbyllet në këtë mënyrë, nuk e di si i ka bërë llogaritë. I bie të na ndajë me autostradën. Të na japë zgjidhje. Kaq duam ne. Ne nuk do i ndërpresim protestat.Kemi biznes”.

Banori 2: “Rama nuk di nëse është shqiptar apo jo. Nuk na japin përgjigje. Të vijë gjithë kjo Polici e Shtetit këtu është turp. Ne kemi dalë për të drejtën tonë. Janë qindra biznese që janë bllokuar. Mua biznesin ma kanë ndarë në dy pjesë. Nuk kemi rrugë për të shkuar në punë. Le ta bëjë me pagesë, por vetëm duam hyrje-dalje në rrugë. Ne ketë gjë duam”.

VIDEO/ Protesta në Thumanë-Kashar, përplasje mes protestuesve dhe policisë – Balkanweb.com – News24

Gjatë protestave, për shkak të përleshjeve me policinë, disa banorë janë lënduar, ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Policisë Rrugore pezullua për pak ditë pasi u filmua duke goditur një qytetar.

Disa nga punonjësit e policisë janë banorë të zonës. Ata kanë të njëjtin shqetësim si protestuesit. Vetë reagimi i policisë duket i vakët, përveç rasteve kur protestuesit u dalin përpara makinave dhe bllokojnë autostradën. Ndërhyrja është e paevitueshme. Por, disa efektivë të kontaktuar nga Zoom.al thonë se “nuk ia vlen të mbrosh diçka të tillë kur banorët kanë të drejtë”.

KONTRATA KONCESIONARE

Kompania koncesionare “Gener 2” dhe “G2 INFRA” me pronar Bashkim Ulajn, e nënshkroi marrëveshjen me Ministrinë e Infratrukturës, të drejtuar nga Belinda Balluku, më 9 maj të vitit 2022, për “Projektimin, Ndërtimin, Operimin, Mirëmbajtjen dhe Transferimin e aksit rrugor Thumanë – Vorë – Kashar”.
Kontrata ka një afat prej 35 vitesh dhe tarifa për kalimin e automjeteve të vogla do të jetë 2.1 euro.
Edhe vendosja e tarifës është kundështuar nga banorët e këtyre zoneve, por jo vetëm. Kjo autostradë konsiderohet si ndër më të shtrenjtat në Europë për tarifën e kalimit të mjeteve.

Në projekt, kompania koncesionare ka detajuar të gjitha specifikat e rrugës. Ajo është kujdesur edhe për ruatjen e bimësisë, si “gështenja e egër, salepi shqiptar, bocëbora e mbretëreshës Ollgë, etj”.

Por kur bëhet fjalë për banorët kujdesi lë për të dëshiruar.

Hapja e një aksesi për këta dhjetëra mijëra banorë, duke evituar që ata të shkojnë deri në Rinas apo Qafë Kashar, do t’i kishte evituar protestat dhe dhunën.

Veç hyrje – daljes pranë ish -rrethrrotullimit të Thumanës, një tjetër zgjidhje do të ishte hapja e aksesi të ri në rrugën që lidh Fushë -Krujën me Bubqin, të cilën autostrada e pret me anë të një mbikalimi.

Por për shoqërinë koncesionare, ky është një shpenzim i paparashikuar në kontratë. Ndërsa Autoriteti Kontraktor, në këtë rast Ministria e Infratrukturës dhe Energjisë, mesa duket nuk i ka menduar pasojat për banorët e këtyre zonave. Për këtë arsye banorët e kanë kallëzuar në SPAK ministren Belinda Balluku.

Protesta në Thumanë-Kashar/ Banorët kallëzojnë në SPAK Belinda Ballukun

Në fund të 35 viteve të koncesionit, kompania “Gener 2” pritet të mbledhë 1.3 miliardë euro të ardhura.

Përballë këtyre fitimeve, shpenzimet për hapjen e një aksesi për Krujën e Fushë – Krujën janë të papërfillshme”, – mendojnë disa ekspertë e inxhinierë të kontaktuar nga Zoom.al.

“Mjafton që Rama t’i kërkojë Ulajt ta bëjë dhe zgjidhja vjen”, -thotë një tjetër, duke përmenduar se kjo është një prej rrugëve më të shtrenjta me fitimin më shumë se 400 përqind. Por kjo mesa duket do të ishte një kokëçarje më e madhe sesa nxjerrja e policisë për të “bërë zap” protestuesit, për aq kohë sa protesta nuk ka degjeneruar si në Kukës, ku në mars të 2018-ës protestuesit dogjën kabinat e pagesës në Rrugën e Kombit, duke i detyruar kompanitë e Shefqet Kastratit dhe Pëllumb Salllarit që për banorët e Kukësit ta ulnin tarifën nga 660 lekë në 100 lekë. /Zoom.al