Aplikacion
“Koha ka ardhur që të veprojmë ndryshe! Qytetarët tanë meritojnë mbrojtje nga abuzimet financiare dhe nga sjelljet që më së shumti të kujtojnë personazhet e romanit të Balzakut”, shkroi në faqen e saj në Facebook, Tabaku. Ajo theksoi se kjo nismë ligjore është një përpjekje për të sjellë rregull dhe drejtësi në tregun financiar shqiptar, duke përfshirë rregullimin e sektorit të mikrokreditimit dhe të shërbimeve FinTech.
Nisma e Tabakut synon të mbrojë qytetarët nga kamatat abuzive dhe kriminale që kanë rënduar mbi kredimarrësit dhe të parandalojë praktikat e tilla në të ardhmen. Ajo shpreson që kjo paketë ligjore të gjejë mbështetje të gjerë në Parlament, duke bashkuar kolegët e të dyja anëve të spektrit politik.
Tabaku ka bërë të ditur se së bashku me një grup specialistësh bipartizanë, do të prezantojë zyrtarisht nismën në javët në vijim. Kjo përpjekje është pjesë e një angazhimi të gjerë për të mbrojtur interesat e publikut dhe për të sjellë ndryshimet e nevojshme ligjore që do të sigurojnë një mbrojtje më të mirë për konsumatorët shqiptarë në sektorin e shërbimeve financiare.
Postimi i plotë i Jorida Tabakut:
Prej disa javësh, shqiptarët janë përballur me realitetin e trishtë që u ka marrë bashkëqytetarëve pronat, kursimet dhe, fatkeqësisht, edhe jetën. Një grup përmbaruesish, mbledhësish të kredive të këqija dhe përfitues imoralë të një legjislacioni me shumë boshllëqe na kanë kujtuar xhambazët që Balzaku përshkruante në librat e tij, që mblidhnin kambialet e borxhlinjve duke përdorur dhe shfrytëzuar në maksimum vuajtjet dhe nevojat e tyre.
Të njëjtët persona menduan boshllëqet ligjore të mikrokreditimit dhe licencimit të shoqërive të borxhit të keq si një hapësirë ligjore abuzive. Përfituan nga mungesa e rregullimit të një zone gri, që kishte hapur një derë abuzimi, për të shpartalluar të ardhurat e qytetarëve përmes kamatave abuzive dhe kriminale, që kalonin nivelin e borxhit. Duke përdorur mbi të gjitha hapësirën ligjore dhe një fushë tërësisht të paorientuar në mbrojtjen e konsumatorit, kësaj radhe kredimarrësit.
Fatkeqësisht, institucionet që duhet të mbikëqyrnin me imtësi të plotë situatën dhe të kontrollonin sjelljen e këtyre institucioneve financiare, si Banka e Shqipërisë, bënë sikur nuk e panë situatën. Një sjellje që nuk ngrihet aspak në lartësinë e detyrës që ka institucioni i Bankës së Shqipërisë dhe akoma më tej luajti një ping-pong të pandershëm me institucionet e tjera. Një sjellje që e pamë edhe në raportimin e guvernatorit në Parlament.
Natyrisht, që një vepër e tillë penale ka qenë tejet e sofistikuar, duke shfrytëzuar në maksimum heshtjen e parlamentit, që nuk ka mundur të propozojë ligje që e rregullojnë këtë çështje; të një qeverie që sjell me kamionë ligjet me porosi dhe përdor çdo deputet të mazhorancës për të propozuar një ligj për interesa oligarkie, por që nuk u kujtua aspak për një nevojë të tillë; të boshllëkut ligjor që ofron Banka e Shqipërisë dhe mospërfilljes jo kokëçarëse dhe deri menefregiste që na dhuroi Ministria e Drejtësisë. Të gjithë pra, bashkëfajtorë por jo bashkëvuajtës në tragjedinë e përbashkët dhe të hidhur të shqiptarëve.
Tani, koha ka ardhur që ne të veprojmë ndryshe! Ndërsa prokuroria po heton çështjen në fjalë, në pritje të një vendimi të kuvendit për një komision hetimor si kryetare e Komisionit të Çështjeve Europiane dhe gjithashtu anëtare e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, si një nga ata deputetë që kërkova me ngulm që Parlamenti të ngrejë një komision parlamentar për të shqyrtuar hapësirat ligjore dhe jo vetëm në drejtim të mbrojtjes së konsumatorit si dhe përputhjen me standardet më të mira të BE-së, kam ndërmarrë një iniciativë ligjore për një paketë të plotë në fushën e mbrojtjes së konsumatorit në sektorin bankar.
Iniciativa ka për qëllim vetëm mbrojtjen e kredimarrësve nga praktikat grabitqare të huadhënies dhe veprimeve kriminale që nënkupton edhe përafrimin e gjithë legjislacionit për shërbimet financiare. Do të angazhoj energjitë në atë që mendoj dhe besoj se është detyra parësore e Kuvendit: mbrojtja e qytetarëve dhe interesit të tyre. Me të njëjtin pasion si në rastin e mbrojtjes së interesit kur u zbulua afera e inceneratorëve apo dedikimit të mbrojtjes së interesit të shtresës së mesme me ligjin antikushtetues të taksimit të profesioneve të lira.
Kjo nismë ka në thelb përshtatjen dhe jo vetëm një ligj për mikrokreditë, financimin e FinTech dhe kamatës sipas standardeve të Bashkimit Europian. Një nismë që natyrisht i shërben domosdoshmërisht një tregu të etur për rregull dhe sundim të ligjit. Një nismë që besoj dhe shpresoj se do të gjejë mbështetjen tek kolegët e mi të të dyja anëve të ishullit politik parlamentar.
Detyra e një deputeti në Kuvend është që të mbrojë interesat e publikut dhe njëkohësisht të jetë pararojë dhe të propozojë ndryshime ligjore apo ligje të reja për ta mbrojtur këtë interes. Prandaj, së bashku me një grup specialistësh që janë bipartizanë, kam ndërmarrë që prej fillimit të këtij muaji një nismë që do të kurorëzohet në javët në vijim për të mbrojtur të drejtat e konsumatorëve në fushën e shërbimeve financiare.
Kjo është një nismë dhe një betejë që u duhet shqiptarëve dhe qytetarëve për t’u mbrojtur nga sjellja prej xhambazi që jo rrallë të kujton romanet e Balzakut, ku personazhet shtrëngoheshin në gjithëfarësoj mënyrash për të shlyer kambialet. Qindra konsumatorë që janë duke vuajtur pasojat e arrogancës, korrupsionit dhe mungesës së rregullimit nuk e meritojnë t’u zhvatet pasuria e tyre në këtë mënyrë. Prandaj është e nevojshme të miratohen standardet e praktikat më të mira të BE-së.