zoom

Aktualitet

Tragjedia në Velipojë/ E dashura e 19-vjeçarit italian që humbi jetën flet për ngjarjen

E dashura e 19 vjeçarit Italian, Nicola Loro që humbi jetën pas përplasjes së Jet Skive në Velipojë ka folur mbi ngjarjen.

Për mediat italiane ajo ka treguar se të rinjtë nuk ishin të dehur siç u deklarua por se ngjarja ishte aksident.

“Ishte thjesht një aksident tragjik. Autoritetet shqiptare kanë dhënë leje që ne të marrim trupin e të dashurit tim dhe po përgatitemi të kthehemi në Itali, por dua të theksoj fort se ishte thjesht një aksident tragjik, një përplasje e papritur; ne nuk kishim pirë alkool dhe as drogë. Unë, i dashuri im dhe vëllai im ishim shumë të lidhur. Ata të dy ishin si vëllezër”, thotë e përlotur vajza e cila ishte dëshmitare e tragjedisë.

“Vëllai im u hodh në ujë për të ndihmuar Nicolën, ai e nxori nga uji dhe u dërgua menjëherë në spital ku fatkeqësisht vdiq”- ka treguar vajza më tej.

Nicola Loro 19 vjeç, me origjinë nga Italia humbi jetën në spitalin e Shkodrës, pas përplasjes së dy Jet Ski-ve në plazhin e Velipojës. Loro kishte ardhur për pushime me të dashurën e tij dhe vëllain e saj. Ky i fundit u arrestua nga policia e Shkodrës për “vrasje nga pakujdesia”.

Sipas policisë përplasja është shkaktuar nga “manovrat e rrezikshme dhe të pasakta” të kryera “një milje nga perimetri i sigurisë”.