Aplikacion
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye sot me 99.95 lekë, duke prekur një minimum të ri historik.
Qysh prej muajit maj, Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë në kursin e këmbimit valutor për të mos lejuar rënien e monedhës europiane poshtë vlerës së 100 lekëve. Megjithatë, pavarësisht blerjeve direkte të Bankës së Shqipërisë dhe kontakteve të saj të shpeshta me bankat tregtare për të mos lejuar një zhvlerësim të euros përtej këtij caku, edhe barriera e 100 lekëve është thyer ditën e sotme.
Sezoni veror shoqërohet me presione të shtuara për zhvlerësimin e euros, për shkak të pikut të sezonit turistik. Banka e Shqipërisë u përpoq t’i paraprinte qysh në fillim të sezonit këtij efekti, duke përcjellë edhe një mesazh për aktorët e tregut. Banka qendrore kishte arritur me sukses ta mbajë kursin sipër nivelit të synuar, deri ditën e sotme.
Megjithëse rënia e euros poshtë kufirit të 100 lekëve ka një domethënie simbolike, shkalla e luhatjes së kursit ngelet brenda niveleve që mund të korrigjohen me një ndërhyrje të radhës së Bankës së Shqipërisë.
Deri tani, banka qendrore nuk ka publikuar informacion lidhur me sasinë e blerjeve valutore direkte për të mos lejuar mbiçmimin e mëtejshëm të lekut në kursin e këmbimit.
Historikisht, presionet sezonale mbi kursin arrijnë nivelin maksimal mes fundit të korrikut dhe fillimit të gushtit, megjithëse në dy vitet e fundit ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë dhe disa valë paniku afatshkurtra që kanë përfshirë tregun e kanë thyer disi dinamikën normale të tregut.
Policia në kaos, bandat në pushtet. Për çfarë i duhet posti Ministrit të Brendshëm?