zoom

Lajme

Mandati i Xhaçkës, socialistët rinisin “lojën” me Këshillin e Legjislacionit

Kërkesës së deputetëve të Partisë Demokratike për një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që ka urdhëruar dërgimin në gjykatë për shqyrtim të papajtueshmërisë së mandatit të deputetes Olta Xhaçka, kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali iu përgjigj të premten duke thirrur mbledhje të Këshillit të Legjislacionit.

Spiropali e thirri mbledhjen në fund të muajit Gusht duke shtyrë edhe më tej zgjidhjen e konfliktit mes Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese, i cili zvarritet në korridoret e parlamentit prej më shumë se një viti. Njëlloj si në qëndrimet e mëparshme shumica parlamentare përmes kryetares Spiropali i kërkon Këshillit të Legjislacionit të “shqyrtojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.

Një ditë më parë kreu i grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazmend Bardhi kërkoi mbledhje të “Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm, kur kërkohet nga jo më pak se një e pesta e sesionit ta caktojë brenda periudhës ‘3 ditë nga paraqitja e kërkesës’”. Bardhi tha se kjo e drejtë lindte nga Kushtetuta.

Por në përgjigje të kësaj kërkese Spiropali pretendon se vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhej të kalonte më parë në Këshillin e Legjislacionit dhe se ky i fundit duhej të prodhonte një raport për kryetare e kuvendit. Kjo skemë u përdor edhe një vit më parë nga socialistë që më pas e shtynë vendimmarrjen mbi vendimin e Kushtetueses për disa muaj dhe në fund votuan kundër në seancë plenare.

Megjithatë këtë herë shumica gjendet para një vendimi të qartë të gjykatës që i urdhëron ata të dërgojnë mandatin e Xhaçkës për shqyrtim para saj. Kushtetuesja, në vendimmarrjen e saj në fillim të korrikut të këtij viti, u shpreh se sjellja e socialistëve ndaj vendimeve të saj cënonte themelet e shtetit.

“Ky refuzim i Kuvendit për zbatimin e vendimit të Gjykatës ka çuar në krijimin e një krize kushtetuese që jo vetëm cenon themelet e shtetit demokratik dhe humb besimin e publikut te shteti dhe organet e tij, por vë në diskutim edhe vetë rolin dhe funksionin e Gjykatës”, shkruhet e bardhë në të zezë në vendimin e arsyetuar të Gjykatës.

Përplasja mes Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese vijon prej gati dy vjetësh, pasi shumica parlamentare ka zvarritur vazhdimisht vendimmarrjen për këtë çështje, duke refuzuar të dërgojë në Gjykatë për shqyrtim mocionin për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së mandatit të Xhaçkës. Në fjalën e saj gjatë votimit në Kuvend në prill të këtij viti Xhaçka fajësoi mediat dhe pretendoi se Gjykata Kushtetuese e kishte pushuar çështjen.

Por vendimi i ri i Gjykatës i ka përgënjeshtruar këto qëndrime, duke e cilësuar sjelljen e shumicës parlamentare si antikushtetuese dhe duke urdhëruar që çështja të shkojë para saj për shqyrtim në themel./ Reporter.al