zoom

Kosova

BE-ja paralajmëron masa të reja ndaj Kosovës

Masat e Bashkimit Europian ndaj Kosovës mund të shtohen nëse Qeveria vazhdon me vendime që bashkësia ndërkombëtare po i konsideron si të njëanshme e të pakoordinuara.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka përmendur masat kundër Kosovës si përgjigje të BE-së ndaj këtyre vendimeve – mbyllja e nëntë zyrave të Postës së Serbisë në Kosovë dhe hapja e Urës së Ibrit.

“Masat u vendosën vjet për faktin se shumëçka po ndodhte që çonte në përshkallëzim dhe në vend të hapave që çonin drejt depërshkallëzimit janë ndërmarrë edhe më shumë hapa të njëanshëm që çojnë në përshkallëzim nga ata njerëz.

Ne e kemi thënë atëherë se këto masa mund të zgjaten apo të hiqen pavarësisht zhvillimeve të situatës. Pra, çfarë do të bëjmë? Kemi masa në fuqi dhe këto masa mund të shtohen nëse aktorët europianë pajtohen se ato duhet të shtohen”.

Stano ka deklaruar se shpreson që Qeveria e Kosovës ta marrë mesazhin dhe ta ndalojë BE-në nga marrja në konsideratë e shtimit të masave.

“Ua kemi bërë të qartë qëndrimin tonë Kosovës, në shumë nivele, në shumë mënyra dhe përmes shumë partnerëve. Nuk është vetëm BE-ja, të gjithë partnerët ndërkombëtarë të Kosovës po i thonë Qeverisë në Prishtinë, që të mos angazhohet në këto seri hapash të pakoordinuar, negativë dhe të njëanshëm.

Shpresojmë se më në fund do ta dëgjojnë mesazhin dhe do të na ndalojnë të marrim në konsideratë se çfarë masa do të konsiderojmë të marrim nëse situata nuk ndryshon”.

BE-ja deri tash nuk ka marrë asnjë vendim për heqjen e këtyre masave.

Shumica e shteteve të BE-së ishin në favor të heqjes së plotë të këtyre masave, siç edhe ka rekomanduar Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në raportin që u dorëzoi vendeve anëtare më 18 qershor.

E tashmë kur janë bërë pothuajse një muaj nga dorëzimi i këtij raporti, ende nuk ka ndonjë vendim nga blloku evropian për masat ndaj Kosovës.

Këshilli e kishte ftuar Përfaqësuesin e Lartë që të përgatiste një raport të tillë në konkluzionet e tij të dhjetorit 2023.

Raporti është një dokument konfidencial dhe nuk do të bëhet publik. Përfaqësuesi i Lartë rekomandon heqjen e masave për Kosovën, siç theksoi ai në konferencën për shtyp më 24 qershor 2024. Diskutimet në Këshill vazhdojnë”.

Kosova është nën masa ndëshkuese të Bashkimit Europian prej verës së vitit 2023, të cilat blloku i vendosi si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët shqiptarë – të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët lokalë – nisën detyrën e tyre në komunat në veri.

Ndër masat e BE-së janë suspendimi i përkohësisht i punës së trupave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Kosova, po ashtu, nuk ftohet në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitat bilaterale janë suspenduar, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Gjithashtu, është pezulluar edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit).

Pas masave ndëshkuese, Kosova mbeti edhe jashtë granteve që BE-ja miratoi në korrik të vitit të kaluar, me vlerë 2.1 miliardë euro.

Autoritetet në Kosovë disa herë kanë insistuar se kanë përmbushur kërkesat për heqjen e masave dhe se situata në veri të Kosovës është shtensionuar, serbët e Kosovës kanë pasur mundësi të votojnë për shkarkimin e kryetarëve të komunave dhe tash, sipas tyre, nuk ka më arsye që të mbahen këto masa.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se masat janë të padrejta, teksa ka shtuar se Kosova ka përmbushur kërkesat e BE-së për heqjen e masave.

“Masa që janë në fuqi ndaj Kosovës bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim të përshpejtuar në BE, sidomos edhe në planin e rritjes dhe qëllimin e tij.