Aplikacion
Këngëtarja Swift planifikonte koncerte ne në stadiumin Ernst Happel të Vjenës të enjten, të premten dhe të shtunën.
Organizatori i koncerteve, Barracuda Music, tha në një postim në Instagram të mërkurën vonë se “nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të anulojmë tri shfaqjet e planifikuara për hir të sigurisë së të gjithëve”.
Anulimi pasoi njoftimet se dy ekstremistë të dyshuar u arrestuan në Austri të mërkurën, njëri prej të cilëve duket se po planifikonte një sulm.
I dyshuari kryesor, një 19-vjeçar u arrestua në Ternitz, në jug të Vjenës, ndërsa i dyshuari tjetër në kryeqytetin austriak.
Franz Ruf, drejtor i sigurisë publike në ministrinë e Brendshme të Austrisë, tha se autoritetet ishin në dijeni të “përgatitjeve” për një sulm të mundshëm “dhe gjithashtu se ka një përqendrim të të dyshuarit 19-vjeçar në koncertet e këngëtares Taylor Swift në Vjenë”. njoftoi agjencia e lajmeve Austria Press (APA).
Drejtori Ruf tha se 19-vjeçari ishte betuar për besnikëri ndaj grupit Shteti Islamik. Ai tha se lëndë kimike janë gjetur dhe janë duke u ekzaminuar.
Shtetasi austriak besohet se është radikalizuar në internet. Gazeta austriake Kronen Zeitung, tha se i dyshuari është me origjinë nga Maqedonia e Veriut.
Kancelari austriak Karl Nehammer, tha në një postim në rrjetin social X se “anulimi i koncerteve të këngëtares Taylor Sëift nga organizatorët është një zhgënjim i hidhur për të gjithë adhuruesit e saj në Austri”.
“Situata rreth atij që duhet të ketë qenë sulm terrorist i planifikuar në Vjenë, ishte shumë serioze”, shkroi ai, duke shtuar se falë bashkëpunimit të ngjeshur midis policisë, shërbimeve austriake dhe të huaja të zbulimit, u arrit që “kërcënimi të zbulohej më herët, të trajtohej dhe të parandalohej një tragjedi”./VOA
Rekord donacionesh për ceremoninë e presidentit Trump, mblidhen mbi 170 milionë dollarë