zoom

Ekonomi

Banka e Shqipërisë s’ndryshon normën bazë; Sejko: Kreditë me probleme i kemi trajtuar sipas ligjit

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur që të mbajë normën bazë të pandryshuar në 3%, pasi në mbledhjen e mëparshme ndryshoi për herë të parë kursin në tre vjet, duke e ulur normën me 0.25 pikë përqindje.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha në konferencën për shtyp pas marrjes së vendimit, se zhvillimet ekonomike dhe monetare të gjysmës së parë të vitit kanë qenë në linjë me pritjet e bankës.

“Vëllimi i aktivitetit ekonomik, punësimi dhe pagat kanë ardhur në rritje, ndërsa inflacioni shënoi një rënie të ndjeshme. Kjo ecuri sugjeron se ekonomia shqiptare po lë pas pasojat e goditjes që pësuam nga rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare gjatë vitit 2022 – 2023.

Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi rënie gjatë tremujorit të dytë, duke qëndruar pranë nivelit mesatar prej 2.1%. Kjo ecuri u diktua thuajse tërësisht nga rënia e inflacionit të artikujve ushqimorë, dhe në veçanti të frutave e perimeve, ndërkohë që inflacioni i artikujve të tjerë të shportës ishte përgjithësisht i qëndrueshëm, ndonëse me një tendencë të lehtë rënëse”, tha Guvernatori.

Sejko tha se duke marrë shkas nga diskutimet e fundit mbi situatën e krijuar në një segment të veçantë të sistemit financiar, atë të trajtimit të kredive me probleme, Këshilli Mbikëqyrës gjen me vend të theksojë sa më poshtë.

“Banka e Shqipërisë është një institucion kushtetues, i mandatuar nga ligji me një mision thelbësor për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit: atë të ruajtjes së stabilitetit të çmimeve dhe të mbështetjes së stabilitetit financiar. I gjithë aktiviteti politikëbërës, rregullator dhe mbikëqyrës i institucionit, ka qenë dhe mbetet i orientuar ekskluzivisht drejt përmbushjes së këtij misioni.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka ushtruar me përgjegjësi e profesionalizëm detyrën e tij, si organi më i lartë vendimmarrës dhe mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë.

Ai ka marrë gjithnjë vendime në interes të së mirës publike të vendit dhe të shoqërisë, ka monitoruar me vëmendje dhe në përputhje me mandatin ligjor zbatimin e detyrave të ngarkuara, si dhe është njohur rregullisht me raportimet e njësive organizative të Bankës, përfshi edhe ato të mbikëqyrjes bankare.

Në tërësi, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se aktiviteti i Bankës së Shqipërisë ka qenë në përputhje me bazën ligjore e rregullatore dhe i ka shërbyer përmbushjes së misionit të saj në linjë me nevojat e zhvillimit ekonomik të vendit.
Banka e Shqipërisë dhe Këshilli Mbikëqyrës mbeten të gatshëm të mbështesin në vijim të gjitha reformat e nevojshme ligjore për adresimin e problematikave që kanë dalë në pah nga zhvillimet e tregut të trajtimit të kredive me probleme, si dhe të ndërmarrë me prioritet çdo nismë të nevojshme rregullatore, e cila qëndron brenda mandatit dhe kompetencës së vet”, tha guvernatori.