zoom

Aktualitet

Në alarm nga “Ethet e Nilit”/ Cilat janë shenjat e sëmundjes? MSH: Largoni mushkonjat

Pas 13 vitesh, në Shqipëri ka mbërritur virusi “Ethet e Nilit”, që deri tani u ka marrë jetën 3 qytetarëve dhe ka infektuar të paktën 9 persona, që janë të shtruar në spitalin Infektiv.

Shefja e Epidemiologjisë pranë Institutit të Shëndetit Publik, Silva Bino fton qytetarët të ruajnë qetësinë dhe të tregohen të kujdesshëm për shëndetin e tyre.

Sipas saj, në pjesën më të madhe të rasteve kjo sëmundje kalon si një grip i zakonshëm, ndërsa bën thirrje që të bëhet kujdes nga mushkonjat, që janë transmetuesi i virusit.

“Virusi “Ethet e Nilit” zakonisht është pa shenja dhe vetëm 20% përjetojnë ethe dhe dhimbje, simptoma të ngjashme me atë të gripit. Vetëm 1% zhvillojnë forma të rënda. MSHMS së bashku me ISHP dhe Operatorin e Kujdesit Shëndetësor ka marrë masat duke kryer procesin e dezinfektimit dhe kryen monitorimin etomologjik periodik në të gjithë vendin.

Gjatë mbremjes, ku këto mushkonja janë shumë aktive apo herët në mëngjes duhet të përdorni lëngje të cilat largojnë mushkonjat ose të rrini me bluza të lehta me mëngë të gjata. Çdo individ ose çdo biznes duhet të pastrojë mbeturinat sepse prania e tyre favorizon shumimin e mushkonjave.

Mbroni veten dhe familjen tuaj!”, tha Silva Bino.