Aplikacion
Vendimi ka gjasa të ketë pasoja të jashtëzakonshme për internetin dhe të paralizojë një nga kompanitë më të njohura në botë. Gjykatësi i qarkut të Uashingtonit, Amit Mehta e mori atë një vit pasi Departamenti i Drejtësisë paditi kompaninë Google në përballjen më të madhe antitrust në Shtetet e Bashkuara që prej një çerek shekulli.
“Pasi shqyrtoi dhe peshoi me kujdes dëshminë dhe provat, gjykata arrin në përfundimin e mëposhtëm: Google është një (kompani) monopoliste dhe ka vepruar si e tillë për të ruajtur monopolin e vet”, shkruan gjykatësi Mehta në vendimin e tij prej 277 faqesh.
Ai tha se dominimi i Google në tregun e kërkimit në internet, është dëshmi e monopolit të saj.
Google “kontrollon 89.2% të tregut për shërbimet e kërkimit të përgjithshëm, një shifër që shkon në 94.9% në pajisjet celulare”, thuhet në vendimin që përbën një humbje madhore për Google dhe kompaninë ombrellë të tij, Alphabet Inc., e cila kishte argumentuar me forcë se popullariteti i motorit të saj të kërkimit buronte nga kërkesa e madhe e konsumatorëve për ta përdorur atë, falë cilësisë së lartë, që “e ka kthyer në sinonim të kërkimit në internet”.
Motori i kërkimit i Google aktualisht përpunon rreth 8.5 miliardë pyetje në ditë në mbarë botën, pothuajse dyfishi i vëllimit të tij ditor krahasuar me 12 vjet më parë, sipas një studimi të fundit të publikuar nga firma e investimeve BOND.
Kent Walker, presidenti i Google për çështjet globale, tha se kompania synon ta apelojë vendimin e gjykatësit e Mehta:
“Ky vendim e konfirmon se Google ofron motorin më të mirë të kërkimit, por arrin në përfundimin se ne nuk duhet të lejohemi ta bëjmë atë lehtësisht të disponueshme”.
Tani për tani, vendimi u jep të drejtë rregullatorëve antitrust në Departamentin e Drejtësisë, i cili ngriti padinë gati katër vjet më parë, ndërsa Donald Trump ishte ende president, dhe ka përshkallëzuar përpjekjet për të frenuar kontrollin e firmave të mëdha të teknologjisë gjatë administratës së Presidentit Joe Biden.
“Kjo fitore kundër Google është një fitore historike për popullin amerikan”, tha Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland. “Asnjë kompani – pavarësisht sa e madhe apo me ndikim – nuk është mbi ligjin. Departamenti i Drejtësisë do të vazhdojë të zbatojë me forcë ligjet antitrust.”/VOA