Aplikacion
Bisedimet mbahen ndërsa udhëheqësit izraelitë paralajmërojnë për pasoja të rënda nëse sulmohen, mes shqetësimeve për veprimet që mund të ndërmarrë Irani ose grupet e mbështetura prej tij në rajon.
Dje ministri i Jashtëm i Jordanisë, Ayman Safadi vizitoi Iranin, ku kërkoi t’i jepet fund përshkallëzimit të tensioneve në mënyrë që rajoni të jetojë në “paqe, siguri dhe stabilitet”.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin foli të dielën me homologun e tij izraelit Yoav Gallant, duke përsëritur “mbështetjen e hekurt të SHBA-së për sigurinë e Izraelit dhe të drejtën e tij për t’u vetëmbrojtur përballë kërcënimeve nga Irani” dhe grupet e mbështetura prej tij si Hezbollahu me bazë në Liban dhe Houthi me bazë në Jemen.
“Ata biseduan mbi lëvizjen e forcave të SHBA-së që po ndërmerr Departamenti i Mbrojtjes për të përforcuar mbrojtjen e trupave amerikane, për të mbështetur mbrojtjen e Izraelit dhe për të parandaluar dhe zbutur zgjerimin e tensioneve në rajon”, tha Pentagoni në një deklaratë.
“Objektivi i përgjithshëm është ulja e temperaturës në rajon, frenimi dhe mbrojtja kundër sulmeve dhe shmangia e konfliktit rajonal,” tha të dielën Jonathan Finer, zëvendës këshilltar për Sigurinë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, në një intervistë për televizionin CBS.
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli po përgatiten për çdo skenar të mundshëm, shtoi zoti Finer.
Zhvillimet pasojnë sulmin ajror izraelit të javës së kaluar në Bejrut që vrau një komandant të Hezbollahut, Fouad Shukur, dhe vrasjen disa orë më pas të udhëheqësit politik të Hamasit, Ismail Hanijeh në Teheran, për të cilën Irani fajësoi Izraelin.
Franca paralajmëroi për një situatë “shumë të paqëndrueshme”, ndërsa Shtetet e Bashkuara, Franca, Kanadaja, Jordania dhe Britania u bënë thirrje qytetarëve të tyre të largohen nga Libani. Disa linja ajrore pezulluan ose kufizuan udhëtimet në rajon.
Pas vrasjes së Hanijesë javën e kaluar në Teheran, udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, tha në një deklaratë: “Është detyra jonë të hakmerremi“.
Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare së Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha të dielën në një intervistë për kanalin Fox News se “kur udhëheqësi suprem thotë se do të kundërpërgjigjet, duhet ta marrim një gjë të tillë seriozisht. Duhet të jemi gati.”
Kryeministri Benjamin Netanyahu tha të dielën se Izraeli është i përgatitur për çdo skenar.
“Shteti i Izraelit është në një luftë në shumë fronte kundër boshtit të së keqes, që drejtohet nga Irani. Ne goditëm fort secilin nga krahët e tij. Ne jemi të përgatitur për çdo skenar, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm. Çdo akt agresioni kundër nesh, nga çdo front do të marrë një goditje të fortë”, theksoi ai.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken diskutoi të dielën me ministrat e jashtëm të G7-ës mbi nevojën urgjente për të zbutur tensionet në Lindjen e Mesme. Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se zoti Blinken dhe homologët e tij “përsëritën angazhimin ndaj sigurisë së Izraelit dhe kërkuan përmbajtje maksimale nga të gjitha palët për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit”.
Hanijeh, udhëheqësi politik i Hamasit, ishte negociatori kryesor i grupit në përpjekjet për të arritur një marrëveshje për një armëpushim që deri sot kanë qenë të pasuksesshme. Vrasja e tij ngriti pikëpyetje lidhur shanset për një armëpushim dhe shkëmbim të pengjeve të mbajtura nga Hamasi me të burgosur palestinezë që mbahen në Izrael./VOA