Aplikacion
Ethet e Nilit përhapen nga mushkonjat që ushqehen me gjakun e zogjve. Virusi nuk përhapet nga njeriu te njeriu.
Shqipëria nuk i ka shpëtuar as në këtë sezon veror qarkullimit intensiv të mushkonjave, të cilat gjenden lehtësisht si në zonat urbane ashtu dhe në bregdet.
Bazuar në një studim entomologjik që ka kryer Instituti i Shëndetit Publik, në vendin tonë janë identifikuar 4 lloje vektorësh, dy prej të cilëve konsiderohen si vektorë të rrezikshëm për shkak të transmetimit të viruseve që shkaktojnë komplikacione të rënda në shëndet.
“Në Shqipëri qarkullojnë mushkonjat të tipit: Anopheles, Aedes, Culex dhe Culiseta. Aktualisht në zonat urbane qarkullojnë dy lloje kryesore; mushkonja e zakonshme Culex pipiens e cila është vektor i etheve të Nilit Perëndimor dhe mushkonja tigër Aedes albopictus e cila është e aftë të transmetojë virusin e Chikungunjës, Zikës, ethet Dengue etj. Ndërsa në zonat bregdetare llojet kryesore të pranishme në këtë periudhë janë Aedes detritus, Aedes vexans, Aedes caspius, Culex pipiens dhe Aedes albopictus. Mushkonjat Aedes detritus, Aedes vexans, Aedes caspius janë bezdisëse me pickimet e tyre në mbrëmje dhe gjatë natës”, thuhet në raportin e ISHP.
Në fillim të muajit maj, ISHP deklaroi se do të nisë dezinsektimin në zonat bregdetare, konkretisht në zonën e Velipojës Shkodër, në Golem e Spille, në Gjirin e Lalzit, Shën Pjetër, Durrës dhe Plazh Plepa Durrës, në Divjakë dhe plazh, Fier, Darëzezë dhe plazhin e Semanit në Fier, në Nartë dhe plazh Zvërnec, Radhimë, Orikum, Dhërmi, Jal, Himarë-Livadh, Qeparo, Borsh, Bunec, Sarandë, Çukë, Kslami, Parku Kombëtar i Butrintit dhe zonat përreth.
Sipas ISHP, deri tani zonat bregdetare në qarkun Shkodër, Tiranë dhe Fier kanë përfunduar procesin e dezinsektimit, ndërsa në qarkun e Vlorës dhe Durrësit ka mbetur pa u mbyllur ky proces.
Perëndimi ngre alarmin/ Rusia do të vendosë lëndë shpërthyese në avionët e pasagjerëve