zoom

Lajme

Pas krizës 15-mujore, Himara zgjedh nesër kryebashkiakun e ri. Sot heshtje zgjedhore

Pas një krize 15 mujore në drejtimin e Himarës të dielën mbi 20 mijë qytetarë janë thirrur për të zgjedhur kryebashkiakun e ri.

Në garë për të parin e qytetit të Himarës janë Vangjel Tavo i Partisë Socialiste dhe Petro Gjikurisë, i koalicionit “Bashkë Fitojmë” udhëhequr nga Sali Berisha.

Materialet zgjedhore për 36 qendrat e votimit kanë mbërritur në Himarë, bashkë edhe me gjithë pajisjet e teknologjisë që do të bëjnë identifikimin elektronik të zgjedhësve dhe vazhgimit me kamera.

Kriza në Bashkinë e Himarës nisi më 12 maj të vitit 2023, kur kandidati i opozitës Fredi Beleri u arrestua për korrupsion zgjedhor dy ditë para se të mbaheshin zgjedhjet vendore.

Gara zgjedhore u fitua nga Beleri, por ai nuk e ushtroi dot asnjë ditë detyrën e tij, pavarësisht betejës ligjore të Belerit për të marrë leje për t’u betuar. Pak muaj më vonë në qeli përfundoi edhe kryebashkiaku në detyrë i Himarës, Jorgo Goro.

Rruga për zgjedhje të pjesshme në Himarë u hap pasi Fredi Beleri u dënua me dy vite burg me vendim të formës së prerë nga gjykata speciale.

KQZ shpalli pavlefshmërinë e mandatit të tij dhe presidenti Bajram Begaj shpalli 4 gushtin si ditën kur himariotët do të zgjedhin kryetarin e tyre të ri bashkise.

Arrestimi i Fredi Belerit u bë shkak i ngrirjes së marrëdhënieve mes Shqiperise dhe Greqise aq sa kjo e fundit vazhdon te mbaje te bllokuar procesin anetaresues te vendit tone ne Bashkimin Evropian.