Aplikacion
Ivi Kaso, sekretar për Çështjet Ligjore tha se historia ka nisur në vitin 2017 kohë kur familja Koleka ka aplikuar për të regjistruar pronën në zonën e Vunoit.
“ATP e ka refuzuar regjistrimin, në një vendim ende të pazbardhur, por me siguri, sepse ka gjetur mangësi në dokumentacion Në këto kushte trashëgimtarët e familjes Koleka i drejtohen Gjykatës së Apelit Vlorë. Të gjitha Institucionet shtetërore, si ATP, ZRPP-Vlorë, Bashkia Himarë, Qarku Vlorë, Drejtoria e Pyjeve dhe Kullotave kanë braktisur gjykimin dhe vetëm Avokatura e Shtetit ka marrë pjesë një herë formalisht”, tha Ivi Kaso.
Me vendimin e gjykatës Vlorë dhe me një sërë ndryshimesh ligjore që ka bërë qeveria, PD thotë se familja kryeministrore mori pronat. Ndërkohë që denoncon SPAK-un që sipas PD po përdor standard të dyfishtë, pasi po heton Sali Berishën për tjetërsim pronash me kompleksin “Partizani”.
“SPAK pretendon se Sali Berisha ndryshoi ligjin e pronës në favor të kthimit të pronës të 5 familjeve të mëdha tiranase, nga e cila Abi Malltezi përftoi 412 m2, më pak se 1% të sipërfaqes që kanë përfituar qindra pronarë. Rezultati: Sali Berisha dhe Abi Malltezi kanë 4 vjet në hetim dhe 8 muaj në burg politik, pa prova, pa fakte, pa akuzë! Diferenca në kohë, përfitueshmëri dhe standard! Kur do të lëvizë SPAK?”, shtoi Ivi Kaso.