zoom

Aktualitet

Zjarr i fuqishëm dhe shpërthim municionesh në kodrat e Fierit, panik te banorët

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë mesditën e sotme kodrat e Mbyetit në Fier, pranë ish-repartit ushtarak, duke shkaktuar terror edhe tek banorët e zonës, pasi municionet e lehta e të hedhura në shkurre nisën të shpërthejnë.

Flakët janë përhapur me shpejtësi, duke alarmuar banorët e zonës shtëpitë e të cilëve ndodhen pranë.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse të cilat po punojnë për shuarjen e flakëve. Ndërkohë nga flakët pranë ish-repartit dëgjohen dhe shpërthime fishekësh.

Ministria e Mbrojtjes njoftoi sot se në 24 orët e fundit ka pasur 39 vatra zjarri në vend, nga të cilat 6 janë ende aktive dhe po punohet nga toka me forca dhe ajri me helikopter “Cougar” për t’i shuar.

Ditë më parë ishte zjarri apokaliptik në Shëngjin që zbriti deri në plazh dhe alarmoi pushuesit, duke shkaktuar jo vetëm panik, por edhe dëme ekonomike te bizneset. /ZOOM.AL/