zoom

Ekonomi

Qeveria aprovon rregullat e reja për administratën, puna mund të nisë më vonë. Preken dhe mjekët

Qeveria ka miratuar ndryshime në rregullat e administratës dhe mjekëve për punën në privat, ku përcaktohen orët e punës dhe lejet vjetore.

Tashmë bëhet aktiv koncepti i orëve fleksibël të punës, ku punonjësit mund ta nisin punën edhe më vonë për shkaqe të motivuara ose për pasojë të vapës në verë, duke i zëvendësuar me orare të tjera. Bëhet me dije se administrata do të jetë në zyrë, në fashën orare nga ora 9:30 në orën 15:30.

Ndërkohë që pushimet vjetore tashmë llogariten në 22 ditë, pra shtohen 2 ditë.

Edhe ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu ka njoftuar se është caktuar tavani për orët e punës që do të lejohen të punojnë doktorët në sektorin privat.

“Ndryshimet që kemi propozuar në ligjin dhe që u miratuan sot me vendimin më të fundit të qeverisë, në ligjin për urdhrin e mjekëve, kryesisht konsistojnë në bërjen publike dhe transparente të gjithë informacionit për profesionistët e shëndetësisë që punojnë në strukturat publike sa i përket angazhimeve të tyre dhe private.

Ndryshimi tjetër i rëndësishëm është edhe miratimi i një regjistri elektronik publik që do të garantojë akoma më shumë transparencë për këdo profesionist të shëndetësisë që punon në strukturat e publike, lidhur me punësimin e tij edhe privatisht.

Kemi vendosur edhe një tavan të orëve të punëve për të cilat një mjek që punon në sektorin publik mund të angazhohet dhe të punojë privatisht. Kemi bërë të qarta dhe procedurat për masat disiplinore dhe strukturat përkatëse që do të tregojnë veprimtarinë e tyre”, tha ministrja Koçiu. /ZOOM.AL/